Aktualitet Bota

Gati dy vite nga lufta në Ukrainë, mbi 45 mijë ushtarë rusë besohet se janë vrarë!

Së paku 45.123 ushtarë rusë janë vrarë prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve, sipas një hulumtimi nga Mediazona dhe Shërbimi rus i BBC-së, të cilat i kanë identifikuar ushtarët e vdekur.

Dy e treta e të gjithë të vrarëve të konfirmuar – vullnetarë, rekrutë, ish të burgosur dhe luftëtarë nga kompanitë ushtarake private – nuk kishin lidhje me ushtrinë para se të niste pushtimi, ka gjetur hulumtimi.

Këtu përfshihen 5.406 ushtarë të mobilizuar, 80 për qind e të cilëve u vranë në vitin e dytë të luftës.

Krasnodar, Sverdolvsk, Bashkortostan dhe Çelabinsk janë rajonet me numrin më të madh të të vdekurve.

Gazetarët i kanë identifikuar 27.906 ushtarë rusë të vrarë vitin e kaluar – 57 për qind më shumë se humbjet e konfirmuara në vitin e parë të pushtimit.

Nga tetori i vitit të kaluar deri këtë muaj – kryesisht në periudhën gjatë të cilës forcat ruse u futën në qytetin industrial Avdivka dhe në zonat përreth në rajonin e Donjeckut – hulumtuesit e konfirmuan vdekjen e 6.614 ushtarëve rusë.

Avdivka ra javën e kaluar.

Gazetarët e bazuan hulumtimin e tyre në të dhëna nga burimet e hapura si, shpallje vdekjesh në gazeta, mesazhe në rrjetet sociale nga të afërmit e viktimave, raporte nga administratat lokale, si dhe të dhëna nga varrezat. Hulumtuesit thonë se numri i vërtetë mund të jetë së paku dy herë më i lartë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk i zbulon të dhënat për humbjet e ushtarëve dhe nuk komenton për shifrat e raportuar nga gazetarët.

Në janar, drejtori i CIA-s, Willam Burns, tha në një shkrim të publikuar në revistën Foreign Affairs se së paku 315.000 ushtarë rusë janë plagosur apo vrarë gjatë luftës në Ukrainë.