Aktualitet

Bllokimi i Rinasit, jepen masat e sigurisë për tre kontrollorët e trafikut ajror

Për bllokimin e paprecedentë të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e Prokurorisë dhe sot vendosi masat e sigurisë “Arrest shtëpie” për kontrolloren e trafikut ajror Flora Ndreca e “Arrest me burg” për kolegët e saj Armando Fezga dhe Muhin Mezini, të cilët janë mbikqyrës salle e Fezga, edhe kryetar i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror.

Avokati i të akuzuarve, Rezart Kthupi u shpreh “i zhgënjyer” nga vendimi.

Vepra për të cilën akuzohen nuk është vepër penale, por konflikt juridiko-civil. Akuzohen tre persona se janë larguar nga puna, kanë shpërdoruar detyrën. Në rast se do të kishte largim apo shpërdorim detyre do të ishte në bllok e gjithë trupa e kontrollorëve, tre kontrollorë nuk mund të bllokojnë punën në Rinas.

Pas denoncimit të kompanisë “Albcontrol”, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet duke i akuzuar për “Shpërdorim detyre, të kryer në bashkëpunim” lidhur me ngjarjet e së mërkurës e të enjtes që shkaktuan bllokimin e fluturimeve në aeroport. Kontrollorët ndërprenë punën duke kundërshtuar përgjysmimin e pagave prej vitit të kaluar, kohë që përkon me fillimin e pandemisë koronavirus e për pasojë, reduktimin e fluksit të trafikut ajror.

Në bllok, ata plotësuan deklaratën për paaftësi të përkohshme meqë greva nuk iu lejohet me Kod Pune se përfshihen te shërbimet jetike. Fillimisht, kjo çoi në zëvendësimin e tyre me kontrollorë turq e grekë ndërsa nga dje fluturimet vijojnë normalisht pasi u rikthyen edhe ata shqiptarë të “Albcontrol”-it.

Për Qeverinë u krye një grusht shteti dhe sipas kryeministrit Rama, pas veprimit të kontrollorëve qëndronin presidenti Meta e ish-kryeministri Berisha.  Komiteti i Mbrojtjes Civile u mblodh me urgjencë duke i dhënë Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku plotfuqinë për të zëvendësuar të larguarit, që t’i jepej fund bllokimit.