Rajoni

Borrell: Pres qasje konstruktive nga Kosova dhe Serbia!

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.

Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.

Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Mëngjesin e sotëm zhvillova takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për të përgatitur takimin e nivelit të lartë të dialogut që mbahet këtë pasdite”, shkroi Lajçak në Twitter.

Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiçit. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, zyrtarisht rifilloi.

Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy zyrtarët u pajtuan që të vazhdojnë takimet. Siç njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, bisedimet midis Kurtit dhe Vuçiçit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.

Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi.