Aktualitet

Daily Mail: Ambasadori i ri i Shqipërisë në Londër hyri me kamion në Britani!

“Ambasadori i ri i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, i cili do të punojë me qeverinë për ndalimin e kalimit me gomone hyri ilegalisht me një kamion në Angli”. Kështu shkruan britanikja “Daily Mail”.

42-vjeçari bëri një kërkesë false për azil kur mbërriti në Calais në vitin 1998, duke pretenduar se ishte kosovar me një datë të rreme lindjeje.

Javën e kaluar, ai u pranua zyrtarisht nga Ministria e Jashtme e David Cameron-it, pavarësisht rezervave të Home Office-it, si përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë në Britani dhe tashmë do të emërohet zyrtarisht nga Mbreti në Pallatin Buckingham.

Ish-zv.ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edith Harxhi komentoi:

Nuk është e drejtë diplomatikisht, moralisht apo etikisht që dikush që ka hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar të emërohet ambasador. Kriza e migracionit duhet marrë seriozisht. Ferizi do të veprojë si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe qeverive të Mbretërisë së Bashkuar për të frenuar emigracionin ilegal.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, mijëra shqiptarë kanë hyrë ilegalisht në Britani, me kamionë nga Calais dhe me varka të vogla përtej Kanalit. Për “Daily Mail”-in, burime të shumta konfirmuan se në Britaninë e Madhe, Ferizi shkoi si emigrant ilegal, pa asnjë dokument identifikimi duke pretenduar se po ikte nga lufta në Kosovë. Ai u lejua të qëndronte derisa çështja e tij të vlerësohej.

Të dhënat publike tregojnë se u martua me një grua britanike të quajtur Sarah Lennon në Hammersmith, West London, në maj të vitit 2000. Në bazë të asaj martese, iu dha leje e pacaktuar për të qëndruar në Britani, tre vjet më vonë.

Pavarësisht se nuk ka punuar kurrë në shërbimin diplomatik, në qershor u propozua për postin e ambasadorit nga qeveria shqiptare. Zyra e Brendshme e Suella Braverman-it ngriti shqetësime për emërimin e Ferizit.

Sipas CV-së në internet, Uran Ferizi është matematicien e shkencëtar kompjuterësh. Ka studiuar në Universitetin e Oksfordit e në Kolegjin Universitar në Londër. Ai ishte analist financiar në JP Morgan në Londër mes viteve 2006 e 2008, përpara se të transferohej në SHBA, për të punuar si studiues shkencor në universitetet e Nju Jorkut e Stanford-it.

Ferizi do të vizitojë Pallatin Buckingham për t’i dorëzuar Mbretit, letrat kredenciale. Tradicionalisht, monarku zhvillon edhe një bisedë jozyrtare me ambasadorin e ri për çështje kryesore. Në mënyrë të përsëritur, kryeministri Rishi Sunak ka përshëndetur  bashkëpunimin operacional të Britanisë me Shqipërinë, për të trajtuar emigracionin e paligjshëm.

Ndërkaq, Harxhi shtoi:

Puna e ambasadorit në Londër është më e rëndësishmja dhe prestigjiozja pas Uashingtonit, por [Ferizi] nuk ka përvojë në shërbimin diplomatik.

Ferizi tha se ende nuk e ka filluar punën si duhet, ndaj nuk i lejohet të flasë për mediat. Zyra e Jashtme nuk komenton statusin e emigracionit të një individi, duke theksuar:

I takon Shqipërisë të rekomandojë një kandidat për të qenë ambasadori i saj.