Aktualitet Politikë

Debate në Kuvend, opozita kërkon kryeministrin Rama/Gazment Bardhi: Dhe 2 ministra do të jenë në burg për inceneratorët!

Filloi me debate e fundit seancë e këtij sesioni në Kuvend. U miratua ndryshimi për rendin e ditës, duke përfshirë projektligjin për Akademinë e Shkencave. Sipas kryetarit të grupit demokrat, Gazment Bardhi, votimi u bë në mungesë të kuorumit të nevojshëm. Por, kryeparlamentarja Lindita Nikolla u shpreh se u siguruan 69 vota pro, teksa Bardhi këmbëngulte se qenë më pak.

Po në Kuvend, ish-kryeministri Berisha shpalosi një banderolë me mbishkrimin “Mafia e plehrave”. Berisha iu afrua pranë foltores, i shoqëruar nga disa deputetë që në duar mbanin foto të kryeministrit Rama me imazhe kanabisi. Ndërkohë, Gazment Bardhi tha se Rama po kërcënon socialistët me zgjedhje të parakohshme. Po ashtu, paralajmëroi dhe se dy ministra të tjerë do të jenë së shpejti në burg për dosjen e inceneratorëve.

Ka dy ministra në burg, po bëhen gati dhe dy ministra të tjerë që t’iu bëjnë shoqëri. Rama të vijë, të japë llogari. E kuptoj frikën, ka ca kohë që kërcënon nëse ngrihet ndonjë zë se do ju çoj në zgjedhje të parakohshme. Por, frika juaj e frika e Edi Ramës, nuk mund të jenë të këtij Parlamenti.

Opozita ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rama për inceneratorët ndërsa kundërshton dhe projektligjin për studentët e Mjekësisë, që 5 vite të punojnë në Shqipëri. Këta të fundit janë hedhur në protesta para Parlamentit.

Më herët, deputetja demokrate Jorida Tabaku, iu tha mediave jashtë sallës së seancës së Kuvendit,  se do të këmbëngulin për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen Ahmetaj dhe inceneratorët.

Sot, PD-ja do insistojë si pikë e parë e rendit të ditës të përfshihet interpelanca. Sot ndodhemi para një fakti të ri. Kërkesa e re për interpelancë lidhet së pari me kontratën e Tiranës dhe ndalimin e pagesave menjëherë e së dyti, ky parlament është mbledhur tre herë për interesat private të atyre që sot janë në kërkim.

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi iu drejtua Kuvendit me një shalqi bosh, të mbushur me kastravec. Protesta vjen në një moment ku opozita akuzon qeverinë për abuzim me fondet e BE-së për mbështetjen e fermerëve dhe agropërpunuesve, IPARD II.