Rajoni

Dështimi i zgjedhjeve në Veri, Lista Srpska: Ishim të gatshëm t’i ndërrojmë kryetarët, por s’deshëm të luajmë lojën e regjimit në Prishtinë!

Subjekti politik, Lista Serbe, ka reaguar pasi ka dështuar referendumi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

Ky subjekt politik ka deklaruar se procesi i sotëm ishte “një shfaqje e Kurtit”.

“Duam të përsërisim qartë se ishim më se të gatshëm të marrim pjesë në këtë proces për të parë prapavijën dhe për të zëvendësuar këta kryetarë fallco në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të dirigjuara nga regjimi në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Më tej, Lista Serbe thotë se “dita e sotme tregoi se si duket demokracia nën Albin Kurtin, me armë të gjatë, forca speciale dhe automjete të blinduara në qendrat e votimit, kamera që incizojnë votuesit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për referendumin në komunat veriore.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani shkruan se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj por masa më e madhe nuk e shfytëzuan për shkak të presionit nga Beogradi përmes Listës Serbe.

Sipas saj dhe këtë herë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër.

“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.

“Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka shkruar Osmani.