Rajoni

Kosova nis peticionin mbi projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes!

Disa organizata të shoqërisë civile kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion përmes së cilit do të kërkohet hartimi i një projektligji për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë. Procesi i firmosjes nisi sot në qendër të kryeqytetit Prishtinë, por nuk do të kufizohen vetëm aty. Edhe në Pejë, Prizren e Gjakovë ka një thirrje për të nënshkruar nisën me rëndësi.

Në emër të organizatave, Bind Skeja tha se po kërkojnë një projektligj, i cili ndër të tjera do të përfshinte shërbime klinike për parandalimin e vetëvrasjes, integrim të parandalimit të aktit të vetëflijimit në objektiva institucionale e gjithashtu mekanizma për ngritjen e mëtejshme të profesionalizmit të mediave gjatë raportimit të rasteve të personave që zgjedhin t’i japin fund jetës.

Po ashtu, vihet në dukje se projektligji duhet të përfshijë shërbime e mbështetje sociale, jo klinike, për persona që kanë synime të vetëvriten. Qëllimi është të sigurohen mekanizma për reduktimin e aksesit në mjete vet-lënduese, të ketë programe specifike për komunitete jo shumicë, si dhe mekanizma për mbledhjen e të dhënave që dokumentojnë vetëvrasjet.

Skeja vuri në dukje se në Kosovë, niveli institucional nuk ofron asnjë shërbim për parandalimin e vetëvrasjes. Skeja theksoi:

E vetmja mundësi që ofrohet janë disa ditë të mbyllur në psikiatri për trajtim pa vullnet, gjë që Organizata e Kombeve të Bashkuara e cilëson si “shkelje e të drejtave të njeriut”.

Që nga viti 2019, siç dihet, funksionon edhe e ashtuquajtura “Linja e Jetës”, një qendër telefonike vullnetare në Kosovë e që ofron ndihmë për personat që kanë mendime për vetëvrasje apo që vuajnë nga depresioni ose ankthi. Për arsye të kuptueshme, të gjitha të dhënat e telefonuesve mbeten konfidenciale.

Ndërkaq, duhet thënë se fillimi i këtij peticioni vjen duke u bazuar në ligjin për nisma legjislative, sipas së cilit përveç Presidentes së Republikës, deputetëve e qeverisë, edhe qytetarët me të drejtë vote kanë të drejtën e nismës legjislative.

Për të qenë i vlefshëm peticioni, duhet që të nënshkruhet nga të paktën 10 mijë qytetarë. Skeja deklaroi:

Jemi të bindur që me këtë peticion jemi duke filluar një proces të pakthyeshëm të shërimit të plagëve tona komunitare.