Aktualitet

Drejt përfundimit numërimi i votave për këshillat bashkiakë të Tiranës e Kavajës!

Tre ditë nga zgjedhjet vendore të 14 Majit, Tirana dhe Kavaja ende nuk e kanë përfunduar numërimin e votave për këshillat bashkiakë, ndërsa ky proces është mbyllur në Vorë, Kamëz e Rrogozhinë, tre bashki të tjera të qarkut Tiranë.

Për Këshillin Bashkiak të Tiranës ka mbetur vetëm kutia e fundit për t’u numëruar nga 941 që ishin në total. Bëhet e ditur se deri më tani, Partia Socialiste ka siguruar 34 mandate në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i Sali Berishës dhe Ilir Metës renditet i dyti me 16 mandate e më pas vjen Partia Demokratike, me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn e që ka siguruar katër mandate.

Bashkia e Tiranës do të vijojë me të njëjtin kryetar, Erion Veliajn, i rikonfirmuar për mandatin e tretë në zgjedhjet e 14 Majit, me 54.69% të votave. Veliaj e thelloi në më shumë se 58 mijë vota avantazhin me Belind Këlliçin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndjekësi më i afërt i tij mes pesë rivalëve të tjerë.

Për Këshillin Bashkiak të Kavajës kanë mbetur që të numërohen edhe tre Qendra Votimi. Ndërkaq, nga numërimi i 89 kutive rezulton se Partia Socialiste ka marrë 13 mandate, “Bashkë Fitojmë” 9 të tilla dhe Partia Demokratike 3. Kujtojmë se Kavaja është njëra prej shtatë bashkive të fituara nga “Bashkë Fitojmë”. Me 51.89% të votave, Fisnik Qosja arriti të siguronte mandatin 4-vjeçar për drejtimin e kësaj bashkie duke mundur me rezultat të ngushtë kandidatin socialist, Redjan Krali.

Po ashtu, numërimi i kutive për këshillat bashkiakë të Vorës, Kamzës e Rrogozhinës është mbyllur. Konkretisht, Partia Socialiste ka siguruar 12 mandate në këshillin e Vorës, ndërsa “Bashkë Fitojmë”, katër. Në Këshillin Bashkiak të Kamzës, Partia Socialiste do të ketë 19 anëtarë, “Bashkë Fitojmë” 11 mandate dhe Partia Demokratike, tre. Në Këshillin Bashkiak të Rrogozhinës, po në qarkun e Tiranës, Partia Socialiste siguroi nëntë mandate, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” katër dhe PD-ja tre anëtarë.