Celebrities Film & Tv Magazine

Drilon Hoxha dhe realizimi i tij i pestë kinematografik mban emrin “Guxim”, ja çfarë na zbulon ai më shumë!

Regjisori, skenaristi, producenti dhe aktori i njohur Drilon Hoxha është një nga figurat më të rëndësishme të realizimit më të fundit të filmit “Guxim”. Këtë herë ky projekt i tij vjen në bashkëpunim me Top Channel Films, të cilët mbrëmjen e 5 Prillit sollën edhe Premierën Absolute në Cineplexx TEG.

Ky është filmi i tij i pestë, të cilin ai e ka financuar plotësisht vetë. Sa e vështirë ka qenë kjo për një producent në Shqipëri?

Pas ’91, përveç serialeve, unë kam qenë i pari që guxova, që ka lidhje edhe me titullin “Guxim”, guxova të bëj një film nga pasioni. Jo për të treguar që unë do bëj film dhe do të bëhet nami. Thjesht për të çuar pasionin tim dhe ëndrrën time deri në fund. Për të arritur një synim timin. E bëra dhe isha unë ai personi që zgjoi disa njerëz dhe i tha se mund të bëhej. Edhe filluan të gjithë duke bërë dhe siç shihet më vjen mirë që po bëhet pak kulturë që njerëzit po zgjedhin kinemanë dhe teatrin.

Cilat kanë qenë sfidat që ai ka hasur në realizimin e këtij filmi, të cilat nuk i ka patur tek të tjerët?

Janë sfida të vogla, por kur e mendon thellë-thellë ishin shumë të mëdhaja për ne, sepse kur xhiruam në Firence kishim probleme me parkimin. Ishte një gjë shumë, shumë problematike. Ishte një gjë shumë e madhe që kur e thua mendon ‘Probleme me parkimin? Çfarë po thua?’. Por për ne ishte diçka shumë e rëndësishme se lokacioni ku do të xhironim ne donte sebën kamionin me drita, me kamera. Jemi munduar të xhirojmë duke kapur veshin nga ana tjetër.