Aktualitet

Dumani në KLP: Institucionet shtetërore nuk po raportojnë rastet e korrupsionit!

Altin Dumani në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP për të raportuar mbi aktivitetin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar për vitin e kaluar. Ndërsa vuri në dukje rritjen e procedimeve penale kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, numri 1 i SPAK-ut shprehu shqetësimin se institucionet shtetërore nuk po bashkëpunojnë në këtë drejtim. Nga numri i referimeve që e cilësoi “mjaft të ulët”, Dumani përjashtoi Policinë e Shtetit.

Ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, për herë të parë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona në hetim, me funksione, ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-gjyqtar Apeli, kryetar bashkie, ish-kryeministër, ish-ministër i Financave, ish-ministër i Mjedisit, ish-prokuror, etj.

Në lidhje me hetimin e krimit të organizuar, SPAK-u ka ndjekur strategjinë e hetimit shterues duke synuar shkatërrimin përfundimtar. Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit, ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023, me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendecë të fortë rënieje e që shkon deri në 40% në krahasim me vitin 2022.

Gjatë vitit të kaluar, referuar të dhënave të zbuluara nga Altin Dumani në KLP, u bë e ditur se janë sekuestruar e konfiskuar 41 milion euro pasuri me origjinë kriminale.

41 milion euro është vlera e pasurive të sekuestruara e konfiskuara në vitin 2023. Nga të cilat, 54% e zënë pasuritë e konfiskuara në vlerën e 22.5 milion eurove dhe 46%, të sekuestruara në vlerën 19 milion euro.

Gjithashtu është rritur numri i procedimeve penale të reja, 16% krahasuar me vitin 2022.

Konkretisht, në vitin 2023 janë regjistruar:

201 procedime penale për korrupsionin

85 procedime për krimin e organizuar

13 procedime për terrorizmin.

Përgjimet 

Përgjimet janë përdorur në 109 procedime për vepra penale të korrupsionit dhe 77 procedime për krimin e organizuar. Në total ka një rritje prej 91% të interceptimit të pajisjeve fundore.

Po ashtu, gjatë vitit 2023 janë ngritur 10 skuadra të reja të përbashkëta hetimore, ndërsa hetimet vijojnë me 25 skuadra të përbashkëta hetimore me Italinë, Francën, Maqedoninë e Veriut, si dhe Kosovën.

Po ashtu, Altin Dumani deklaroi se “SPAK-u luajti rol të rëndësishëm për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri e FATF në dhjetor të vitit 2023”.

SPAK-u ka arritur të krijojë një besueshmëri me institucionet partnere në nivel rajonal e më gjerë. Tashmë, përfaqësuesit e DEA-s dhe të FBI-së janë atashuar pranë zyrave të SPAK-ut për të koordinuar e asistuar më mirë hetimin dhe bashkëpunimin midis agjencive ligjzbatuese.

SPAK-u gjithashtu ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shtete të Amerikës Latine, të cilët do të rrisin ndjeshëm forcimin e bashkëpunimit në hetimin e veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.