Aktualitet

Edhe 6 kuti për t’u numëruar në Rrogozhinë, kandidati socialist thellon kryesimin!

Në Rrogozhinë ku dje u mbajtën zgjedhjet për kreun e bashkisë, mbeten dhe 6 kuti për t’u numëruar para se të mësohet emri i personit që do të drejtojë qytetin. Nga 54 kuti, procesi përfundoi për 6 dhe Edison Memolla i Partisë Socialiste kryeson bindshëm duke thelluar diferencën me rivalin Shkëlqim Hoxha nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” i Berishës e Metës.

Aktualisht, Memolla ka 5 mijë e 569 vota kundrejt 4 mijë e 320 të Hoxhës dhe është para me 1 mijë e 249 vota.

Pak para mesnatës, me një postim në rrjetet sociale, Erion Veliaj si drejtuesi politik i PS-së për Qarkun Tiranë shkroi për “pengimin të numërimit të votave në Rrogozhinë nga përfaqësuesit e çiftit Berisha-Meta”.

Deri në orën 18:00, kjo pjesëmarrje ka qenë 35.5%, më e lartë se në votimet e 14 Majit kur rezultoi 32.12%, për të njëjtën orë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ripërsëritjen e votimeve pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm. Shkak u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve vetëm 21 vota, ndërsa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Lokalet e 14 Majit u fituan nga Edison Memolla.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi të respektohej heshtja zgjedhore e solemniteti i ditës së votimit.  Kandidatëve dhe përfaqësuesve politikë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili dje ishte në Rrogozhinë, iu bëri thirrje të shmangin deklarimet me përmbajtje zgjedhore. E ndërsa pati një incident lidhur me fotografimin e votës, Celibashi kujtoi se përbën shkelje penale.

Në një qendër në Rrogozhinë u ndërpre për 30 minuta procesi i votimit. Shkak u bë fotografimi i votave nga një grua dhe bashkëshorti i saj. Që të dy u evidentuan nga komisionerët, si dhe u mbajt proces-verbal lidhur me rastin. Po ashtu pati debate mes vëzhguesve.