Aktualitet

U dyshua si vdekje natyrale, djali me probleme mendore vret nënën 75-vjeçare në Rrogozhinë!

Ajo që u dyshua një ditë më parë si një vdekje për shkaqe natyrale, duket se është një krim brenda familjes.

Ndriçim Sokoli, 35 vjeç nga fshati Vilë Bashtovë i Rrogozhinës, është autori i vrasjes së nënës së tij të moshuar.

Blutë sqarojnë se në momentet e para, nga këqyrja e jashtme paraprake e trupit të 75-vjeçares të identifikuar si Ike Sokoli, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe ngjarja është raportuar fillimisht si vdekje natyrale.

Por pas hetimeve dhe ekspertizës mjeko-ligjore, del se ajo ishte abuzuar fizikisht nga i biri, duke marrë dëmtime që i kushtuan jetën. Dyshohet se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ishte nipi i të ndjerës që kishte shkuar për vizitë në shtëpinë e kësaj të fundit dhe e kishte gjetur pa shenja jete, duke lajmëruar kështu policinë.

35-vjeçari Ndriçim Sokoli ishte shoqëruar disa herë nga vetë policia në spitalin psikiatrik, si dhe viktima jetonte vetëm me djalin e saj.

“U raportua fillimisht si vdekje natyrale, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet shkaku i humbjes së jetës së 75-vjeçares. Vrau nënën e tij, nëpërmjet dhunës fizike, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari. 35-vjeçari vuante nga sëmundje mendore, – bën me dije policia. – Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së shtetases I. S., 75 vjeçe, e cila u gjet e pajetë më datë 10.02.2024, në banesën ku jetonte me djalin e saj, sqarojmë se:

Në momentet e para, nga këqyrja e jashtme paraprake e trupit të 75-vjeçares, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe ngjarja është raportuar si vdekje natyrale. Pas kryerjes së hetimeve të thelluara dhe ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se shtetasja I. S. kishte disa orë që kishte humbur jetën. Gjithashtu, rezultoi se djali i saj, shtetasi N. S., i cili vuan nga sëmundje mendore, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj 75-vjeçares, dhunë e cila i kishte shkaktuar dëmtime që kishin sjellë si pasojë humbjen e jetës”, – mbyllet njoftimi i policisë.