Sport

Euro 2020, nesër Itali-Spanjë!

Nesër në orën 21:00 luhet Itali-Spanjë, gjysmëfinalja e parë e këtij Europiani për të mësuar emrin e skuadrës që do të sigurojë kalimin në finalen e 11 korrikut. Të kaltrit udhëtuan drejt Londrës me objektivin për të qëndruar pasi Stadiumi “Wembley” është vendi i dy gjysmëfinaleve dhe finales.

Trajneri Roberto Mancini i ka të gjithë në dispozicion me përjashtim të Leonardo Spinazzola-s, i cili do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Finlandë pas dëmtimit të pësuar në thembrën e Akilit gjatë ndeshjes me Belgjikën. Spinazzola është menduar të zëvendësohet nga Emerson Palmieri.

Formacioni:

ITALIA (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Bonucci, Chiellini, Emerson; Barella, Jorginho, Verratti; Chiesa, Immobile, Insigne.

Në prag të ndeshjes me Italinë, trajneri spanjoll, Luis Enrique vlerësoi lojën e kundërshtarëve për të cilët tha se “luajnë një futboll të bukur”.

Do të jetë ndeshje zbavitëse e intensive, me dy skuadra që përpiqen të luajnë në të njëjtën mënyrë.

Enrique nuk e fsheh dashurinë për Italinë:

Eshtë komb që e dua në gjithçka e për gjithçka! Adhuroj Romën e më vjen keq që qëndrova vetëm një vit, po ashtu njerëzit, ushqimin, picën, akulloren e sigurisht, futbollin! Të luash kundër Italisë është gjithnjë kënaqësi!

Tekniku spanjoll bëri të ditur se me Italinë do të jenë në sulm që nga minuta e parë.

Itali-Spanjë është thuajse një klasike e Europianëve. Dy kombëtaret janë përballur në to 6 herë dhe ky është turneu i katërt kontinental radhazi ku sfida vjen në fazën me eliminim direkt. Në Euro 2008, çerekfinale me penallti e në finalen e 2012-ës, fitoi Furia Roja ndërsa në Euro 2016 vendosën Chiellini e Pelle.

Italia e ka mundur Spanjën vetëm dy herë në 14 përballjet e fundit në të gjitha kompeticionet, një fitore 2-1 në një miqësore në 2011-ën dhe suksesi më i fundit ai 2-0 në 1/8 e Euro 2016-ës me golat e Chiellini-t e Graziano Pelle-s.

Italia dhe Spanja janë takuar 9 herë më parë në një Kampionat Europian ose Botëror, me Italinë që ka fituar në 4 raste dhe Spanja, një herë. Sfida e nesërme e bën Itali-Spanjë duelin më të luajtur mes dy kombëtareve europiane në dy turnetë madhorë futbollistikë.