Aktualitet

Fier/Kultivonin kanabis në shtëpi, arrestohet gruaja, në kërkim bashkëshorti!

Një çift bashkëshortësh në Fier që kultivonin kanabis në shtëpinë e tyre u zbuluan nga policia. Në kuadër të operacionit të koduar “Kreshpan” e pas informatave të Inteligjencës, blutë gjetën 182 fidanë të dyshuar si bimë narkotike, të mbjellë në kubikë. Në pranga ra një 49-vjeçare, ndërsa u shpall në kërkim bashkëshorti i saj, për kapjen e të cilit po punohet. Në banesën e çiftit në fshatin Kreshpan, u sekuestrua dhe një armë gjahu që rezultoi se nuk mbahej me leje. Prokuroria e Fierit nisi hetimet për kultivim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Po ashtu, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, që në fazë fillestare, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe kanë goditur në kuadër të operacionit policor të koduar “Kreshpan”, një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasja P.Y, 49 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim bashkëshorti i saj shtetasi D.Y, 51 vjeç (alias S.Y., alias K.Y.).

Si rezultat i kontrolleve, në banesën e këtyre shtetasve, në fshatin Kreshpan, shërbimet e Policisë gjetën dhe asgjësuan 182 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të mbjellë në kubikë.

Gjithashtu, në banesën e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që mbahej pa leje.

Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasit D. Y.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.