Aktualitet

Vranë të riun në Fier pas sherrit në TikTok, sot masa e sigurisë për dy kushërinjtë e arrestuar!

Në Fier, sot jepet masa e sigurisë ndaj dy kushërinjve Florjan dhe Klajdi Muka për vrasjen me thikë të 19-vjeçarit Grei Bihuci, i cili hyri për të shuar një konflikt mes tyre dhe shokut të tij, Olsi Serjani, që e kishte zanafillën nga përplasja në TikTok.  Ngjarja e rëndë kriminale ndodhi në fillimjavë, në qendër të qytetit jugor. Prokuroria kërkon arrest me burg për dy të rinjtë e akuzuar për veprat penale “Vrasje  me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi  mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve te ftohta”.

Njoftimi zyrtar: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, bënë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 11.03.2024, në qendër të qytetit të Fierit, përballë Bar restorant “Piazza”, ku rreth orës 11.30, shtetasit F.M dhe K.M në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me një mjet të mprehtë (thikë) shtetasin G.B, ku si pasojë e plagëve humbi jetën.

Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 11.03.2024 çështjen penale nr. 382, për veprat penale “Vrasje  me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi  mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve te ftohta”, parashikuar nga nenet 78/1- 25 dhe 279/2 të K.Penal, në ngarkim të shtetasve F.M dhe K.M.

Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetasve F.M dhe K.M.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për një hetim të plotë dhe gjithanshëm të kësaj ngjarjeje, me qëllim hetimin e thelluar të motivit, shkaqeve apo përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë.