Aktualitet

“Financial Times”: Drogë, spiunë dhe kamera: Shqipëria lufton për të frenuar grupet kriminale!

Britanikja “Financial Times” i kushton një artikull Shqipërisë, me fokus përpjekjet në luftën për goditjen e grupeve kriminale e situatën politike. Në shkrimin me autor gazetarin Marton Dunai, çështja McGonigal, operacioni “Fijet” për çmontimin e kamerave të paligjshme dhe emigracioni zënë një pjesë të rëndësishme. Sipas “Financial Times”-it, “reputacioni i Ramës është njollosur” nga kontaktet e tij me ish-zyrtarin e FBI-së, i akuzuar edhe se e ndihmoi për të përndjekur rivalët politikë.

Një aktakuzë e veçantë fokusohet në kontaktet e padeklaruara të McGonigal me Ramën dhe pretendimet se ai kryente shërbime me pagesë për shqiptarët. McGonigal akuzohet se ka marrë të paktën 225 mijë dollarë nga një oficer shqiptar i Inteligjencës e më pas kalonte informacion nga zyra e Ramës te autoritetet amerikane që hapën hetim për një lobist me bazë në SHBA e që punonte për opozitën shqiptare.

Rama ka mbrojtur përpjekjet e tij për të çrrënjosur bandat. Përmes një zëdhënësi, tha për “Financial Times” se “lufta e krimit dhe trafikimit ka qenë një prioritet për këtë qeveri”.

Përpjekjet e Ramës për të përmbushur këtë premtim po bëhen gjithnjë e më të qarta. Rama është detyruar të mbrojë reformat që dyshohet se janë miqësore me pastruesit e parave, të shpjegojë si bashkëpunëtorët e vjetër të qeverisë u përfshinë në hetimet e trafikut të drogës dhe të llogarisë rolin e tij në rënien e një oficeri të diskretituar të FBI-së.

Fuqia e rrjeteve kriminale në Shqipërinë e Ramës u zbulua në mënyrë spektakolare muajin e kaluar. Policia hoqi qindra kamera vëzhgimi të instaluara nga kriminelët, një operacion i madh spiunazhi që monitoron zbatimin e ligjit dhe rivalët.

Shkrimi citon dhe gazetarin investigativ shqiptar, Artan Hoxha i cili tha se ka parë “dhoma të mëdha kontrolli me shumë ekrane, ku grupet e mëdha të krimit vëzhgojnë”.

Skandali i mbikëqyrjes zemëroi qytetarët e rregullt, shumë prej të cilëve besojnë se qeveria bashkëpunon me trafikantët e drogës. Ata trafikantë po zgjerojnë shtrirjen e tyre. Bandat shqiptare janë zgjeruar nga plantacionet ilegale të kanabisit deri te trafikimi i kokainës e heroinës direkt nga Amerika Latine dhe Azia. Miliona euro u derdhën në Shqipëri, duke ndihmuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme luksoze përgjatë bregdetit të Mesdheut.

Artikulli i “Financial Times”-it përmend edhe aministinë fiskale të propozuar nga qeveria, që përfshin deklarimin vullnetar të një pasurie deri në 2 milion euro, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 7-10%, pa një përgjegjësi penale.

Një lëvizje që kritikët thonë se do t’u jepte kriminelëve me të ardhura të larta një leje kalimi falas.