Aktualitet

Kryeministri spanjoll paralajmëroi dorëheqjen, Rama: Mos u dorëzo!

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, i cili tha se po mendon të japë dorëheqjen ndërsa bashkëshortja e tij po përballet me një hetim gjyqësor pas akuzave për korrupsion. Në një mesazh drejtuar Sánchez-it përmes rrjeteve sociale, Rama u shpreh se “është privilegj të kem miqësinë tuaj dhe mundësinë të punoj me ju në këto kohë të trazuara për vlerat dhe parimet te të cilat besojmë dhe për të cilat luftojmë”.

Të pasurit ju si liderin e Lëvizjes tonë Socialiste do të thotë të udhëhiqemi në përpjekjen tonë nga një njeri i mençur dhe me integritet të pamohueshëm. Ju keni të gjithë mbështetjen në këto kohë, kur qëndresa është më e nevojshme se kurrë kundër gënjeshtarëve, shpifësve dhe manipuluesve të fakteve nga skajet e sferës politike. Është nder të qëndroj krah jush.

Arritja juaj në krye të qeverisë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe legjitime, dhe falë politikës së ndershmërisë, solidaritetit dhe vullnetit të papërkulshëm për dialog që keni realizuar për kombin tuaj, është një arsye bindëse për të vazhduar luftën. Për Spanjën, për Evropën dhe për të gjithë ne. Kurrë mos hiq dorë, kurrë mos u dorëzo, kurrë mos dysho që e vërteta do të triumfojë, miku im i dashur.

Kryeministri Pedro Sanchez i hodhi poshtë pretendimet se bashkëshortja e tij është e përfshirë në korrupsion, por tha se po shqyrton mundësinë të japë dorëheqjen. Ky zhvillim erdhi pas fillimit të hetimeve dy ditë më parë rreth akuzave në një platformë ligjore të krahut të djathtë se bashkëshortja e kryeministrit Sanchez kishte shfrytëzuar pozitën e saj për të ndikuar tek disa marrëveshje biznesi.

Në një postim në rrjetin social X, Sanchez tha se ndonëse akuzat ndaj bashkëshortes së tij, Begona Gomez janë të rreme, ai po anulon angazhimet publike deri të hënën, kur do të njoftojë nëse do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën e kryeministrit apo do të japë dorëheqjen.

Më duhet të ndalem dhe të reflektoj. Më duhet t’i përgjigjem pyetjes nëse ia vlen të vazhdoj, duke marr parasysh që e djathta dhe e djathta e vijës së ashpër e kanë shndërruar në llum politikën tonë, nëse duhet të vazhdoj në krye të qeverisë apo të heq dorë nga nderi më i lartë.

52 vjeçari është kryeministër i Spanjës që nga viti 2018. Ai arriti të formojë një qeveri të koalicionit të krahut të majtë në nëntor për të filluar edhe një mandat të ri katër vjeçar. Ndërkaq, rezulton njëri nga udhëheqësit socialist që ka qëndruar më gjatë në pushtet në Europë.

Një gjykatës spanjoll ra dakord të hetojë pretendimet për korrupsion të ngritura nga një grup privat që ka një histori të gjatë të paraqitjes së padive, që kryesisht lidhen me kauza të krahut të djathtë. Gjykata në Madrid do të shqyrtojë akuzat dhe do të vendosë për t’i vazhduar hetimet apo jo.

Begona do të mbrojë nderin e saj dhe do të bashkëpunojë me sistemin e drejtësisë në çdo formë që kërkohet për të sqaruar që këto fakte që duken skandaloze nuk ekzistojnë në fakt, deklaroi kryeministri Sanchez.

49 vjeçarja nuk mban ndonjë post publike e ruan një profil të ulët politik. Grupi Manos Limpias apo “Duart e Pastërta”, e akuzon se ka shfrytëzuar pozitën e saj për të ndikuar në marrëveshje biznesi. Gjykata nuk ka dhënë informacione shtesë dhe theksoi se hetimi është sekret.

Ky grup e përshkruan veten si union, por aktiviteti i tij kryesor është një platformë që nxit raste ligjore. Shumë e lidhin atë me kauzat e krahut të djathtë. Grupi vepron në bazë të “përndjekjes popullore”, një ligj specifik i Spanjës që u lejon individëve dhe entiteteve të marrin pjesë në raste të veçanta penale edhe kur nuk janë dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pala e akuzuar.