Aktualitet

Gomonia del nga bregu në Jalë, dy të lënduar!

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në plazhin e Jalës ku dy persona të moshave 25 e 31-vjeç u dëmtuan nga një gomone, drejtuesi i së cilës humbi kontrollin e përfundoi në breg, aty ku po qëndronin të dëmtuarit, djalë dhe vajzë. Nga burime zyrtare policore, konfirmohet se ata nuk janë në rrezik për jetën, por po trajtohen në spital ku edhe mbahen nën mbikëqyrje mjekësore.

Raportohet se 31-vjeçari ka lëndime në brinjë e në pjesën e fytyrës, ndërsa më e lehtë paraqitet gjendja e 25-vjeçares, vetëm me gërvishtje të lehta.  Ndërkohë, Policia e Himarës nisi hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit e shoqëroi shtetasin Gjergji Priftuli, 37-vjeç, i cili ra në ujë kur mjeti i doli nga kontrolli. Paraprakisht, si shkak i incidentit dyshohet një manovër e gabuar e gomones.

Himarë/Informacion paraprak i Policisë:

Sot, rreth orës 11:20, në plazhin e Jalës, shtetasi Gj. P., 37 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip (gomone), dyshohet se ka humbur kontrollin duke dalë në breg, ku si pasojë ka dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. GJ., 25 vjeçe, të cilët janë transportuar në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Fatmirësisht, ngjarja e sotme në Jalë nuk përfundoi në tragjedi si e dy ditëve më parë në Durrës ku në Sektorin Rinia, një 18-vjeçar që hyri në det për të shpëtuar dy të mitur, përfundoi i mbytur. Qeveria i akordoi statusin “Dëshmor i Atdhetut”, Anri Kashikut.