Aktualitet

Holta Zaçaj kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese!

Holta Zaçaj zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në garë ishin edhe Fiona Papajorgji e Marjana Semini. Kreu i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të gjyqtarëve të Kushtetueses për 3-vjet, me të drejtë rizgjedhjeje një herë. Nëse ka më shumë se një kandidat e gjatë votimit asnjë prej tyre nuk merr shumicën, bëhet votim i ri e vijohet me kandidatët me numrin më të madh të votave.

Gjykata Kushtetuese njoftoi:

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zhvilloi sot më 20 shkurt 2023 raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Në përfundim të procesit të votimit, në bazë të parashikimeve ligjore, pasi mori shumicën e kërkuar ligjore, Mbledhja e Gjyqtarëve zgjodhi zonjën Holta Zaçaj në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.  Ky vendim i njoftohet Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit.

Muajin e kaluar, Holta Zaçaj u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj ka lindur më 12 janar 1976 në Tiranë. Ajo është Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998.

Në periudhën 2007-2008 kreu masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetown në SHBA, në kuadër të programit Fullbright.

Rrugëtimin profesional e nisi si juriste dhe aktiviste për të drejat e njeriut, duke u angazhuar në vitet 1999- 2001 në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, projekti për krimet e luftës në Kosovë. Më pas është angazhuar si avokate në Qendrën e Praktikave dhe Shërbimeve Ligjore të Integruara (QSHPLI), në projektet e ndihmës ligjore falas si: Klinika Ligjore për të Miturit, Zyra e Avokatit të Qytetit pranë Bashkisë Tiranë, Klinka Ligjore për Refugjatët. Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ka punuar si avokate në zyrën e avokatisë “Delegibus Consulting” sh.p.k. dhe nga viti 2018 ka ushtruar profesionin e avokatit edhe në shtetin e Massachusetts, SHBA, në zyrën ligjore ”Ligris and Associates” dhe “Zaçaj Law”.

Gjithashtu, në periudhen 2009-2013, Zaçaj u angazhua si lektore në Shkollën e Magjistraturës në trajnimin fillestar, në të drejtën familjare dhe në trajnimin vazhdues në fushën e së drejtës familjare dhe të të drejtave të fëmijëve, si dhe lektore e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete private në Shqipëri, në periudhën 2009-2014.

Zaçaj është angazhuar dhe ka kontribuar si eksperte ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në një sërë iniciativash të UNICEF-it në Shqipëri, UNICEF-it në Kosovë, UNICEF-it në Gjeorgji, Këshillit të Europës, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombetar etj. Gjatë periudhës 2013-2018 ka qenë Drejtore e Departamentit Ligjor të Alpha Bank Sh.A.

Ajo është autore dhe bashkautore e rreth 30 studimeve e botimeve në fushën e të drejtave të njeriut, të të drejtave të fëmijëve, të së drejtës familjare, të së drejtës bankare dhe të titujve. Gjithashtu, e Kodit të Familjes, ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri, paketës ligjore për trajtimin penitenciar të të miturve në Kosovë.