Aktualitet

Huazimi i parave, shqiptarët iu besojnë më shumë miqve e familjes!

Për të marrë para’ hua, i drejtoheni miqve dhe familjes për ndihmë financiare apo shkoni në një institucion financiar si një bankë ose kompani kredituese? Shpesh kjo zgjedhje varet nga një përzierje faktorësh të ndryshëm, duke përfshirë disponueshmërinë e shërbimeve financiare, edukimin financiar dhe qasjen kulturore ndaj vetë konceptit të huadhënies.

Huamarrja nga Institucionet Financiare

Për të krahasuar praktikat e huamarrjes, grupi i të dhënave përmban rezultatet nga të anketuarit e moshës 15+ dhe i grupon vendet sipas rajonit, përveç atyre me të ardhura të larta, të cilat janë grupuar së bashku. Në vitin 2021, shumica e individëve në ekonomitë me të ardhura të larta, morën hua nga institucionet financiare.

81% e të anketuarve marrin hua nga institucionet financiare. Kanadaja kryeson listën. Ndërkohë, Izraeli (80%), Islanda (73%), Hong Kongu (70%) dhe Koreja e Jugut (69%) nuk mbeten shumë prapa.

Kjo nuk është befasuese për vendet më të pasura, pasi atje shërbimet financiare janë më të disponueshme e më të aksesueshme. Bashkë me njohuri më të larta financiare, duke përfshirë një kuptim të përgjithshëm të normave të interesit e mundësive për ndërtimin e kredive, kontribuojnë në popullaritetin e institucioneve financiare.

61% e të anketuarve në Japoni përdorën institucione financiare formale, opsion më i pranueshëm shoqërisht se kërkimi për të marrë hua nga miqtë dhe familja (vetëm 6% e njerëzve në Japoni).

Shqipëria renditet e 79-ta, me 13.39% të të anketuarve që marrin hua nga institucionet financiare, rreth 10 vende më poshtë se Serbia dhe Greqia. Kosova e 72-ta me nivel huamarrje nga institucionet financiare 17.61%. Në Europë, përqindjen më të ulët pas Shqipërisë e ka vetëm Moldavia.

Huamarrja nga miqtë dhe familja, Shqipëria e ka ndër më të lartën në Europë

Në të kundërt, më shumë individë në ekonomitë me të ardhura më të ulëta, iu drejtuan familjes dhe miqve për të marrë hua.

Afganistani kryeson këtë listë me 60% të të anketuarve, që mbështeten te miqtë dhe familja, krahasuar me vetëm 2% që huazojnë para nga institucionet zyrtare financiare. Po ashtu, shumë individë në vendet afrikane.

Shqipëria renditet e 82-ta, me 30% të të anketuarve që u drejtohen familjes dhe miqve për të marrë hua. Në Europë, Shqipërisë ia kalojnë vetëm Turqia, Moldavia e Ukraina.

Këto preferenca mund t’i atribuohen faktorëve të ndryshëm, përfshirë mungesën e besimit në institucionet bankare e financiare, mungesën e aksesit ose të informacionit për shërbime të tilla, nëse janë të disponueshme.

Në disa shoqëri, huamarrja nga miqtë dhe familja mund të shihet si normë kulturore, veçanërisht në vendet ku mbështetja e solidariteti luajnë rol të fortë.

Çfarë pritet më tej?

Rritja e niveleve të përfshirjes financiare, ndihmon për t’u dhënë njerëzve akses në shërbime si planet e kursimit, rrugët e kreditimit dhe pagesat e transaksionet në internet.

Falë angazhimeve nga vendet dhe sistemet financiare, pronësia globale e llogarive bankare është rritur ndjeshëm, nxitur më tej nga pandemia COVID-19. Sipas bazës së të dhënave Global Findex, pronësia e llogarisë bankare u rrit në 76% në vitin 2021, nga vetëm 51% një dekadë më parë.

Por, qasja në këto shërbime ende është e mbushur me boshllëqe kur bëhet fjalë për vende e individë me të ardhura të ulëta dhe akses të pabarabartë bazuar në gjini. Tani, e ardhmja e huamarrjes varet nga mënyra si kombet përballen me këto sfida./Monitor