Aktualitet

I vuri zjarrin lokalit të Noizy-t, gjykata e Durrësit lë në burg kushëririn e këngëtarit!

Gjykata e Durrësit lë në burg kushëririn e Noizy-t, Eraldo Musteqja, pasi akuzohet se tre herë brenda një muaji, i vuri zjarrin pronave të këngëtarit të njohur, përfshirë lokalit në Currila. Ndaj 26-vjeçarit, prokuroria e Durrësit ka ngritur dy akuza, atë të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik.

Nga ana tjetër, Eraldo Musteqja është ankuar se policia e keqtrajtoi gjatë arrestimit në flagrancë. Ai u kap në zonën e Currilave nga uniformat blu, pak pas rënies së zjarrit dhe bëri rezistencë ndaj tyre. Në momentin e arrestimit iu sekuestrua edhe një thikë.

Në sallën e gjyqit, 26-vjeçari nuk ka pohuar dhe as ka mohuar akuzën për zjarrvënie, ndërsa deklaroi se ka reaguar pasi policët ushtruan dhunë ndaj tij.

Ai tha se në zonën pranë lokalit ishte për të medituar dhe ka qenë duke u larguar nga aty, kur u përball me policinë. Përveç zjarrit të 29 qershorit, Musteqja dyshohet se është autor i dy zjarrvënieve të tjera, njëra më 11 qershor në të njëjtin lokal e që u shkrumbua thuajse plotësisht e më herët më 10 qershor, në derën e shtëpisë së familjes së këngëtarit.

Reperi deklaroi se kushëriri i tij është besimtar ekstremist dhe kundër alkoolit e muzikës që luhet në lokal. Sipas tij, ky është shkaku i konfliktit mes tyre që çoi në akte ekstreme 26-vjeçarin. Këto deklarata mbështeten dhe nga komunikimet mes palëve me mesazhe, ku Musteqja i kërkon të heqë dorë nga droga e alkooli, ndërsa i kërkon dhe të shlyejë detyrimin ndaj tij. Një detyrim për të cilin ai nuk ka dhënë shpjegime të tjera deri në këtë fazë të hetimit.

Para gjyqtares së seancës 26-vjeçari dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar lirimin, ndërsa prokurori i çështjes lënien e tij “arrest në burg”. Pasi ka dëgjuar palët, gjykata e ka vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe e  la në burg pa afat të riun deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe pamje të kamerave të sigurisë ku shfaqet rezistenca e tij ndaj efektivëve të policisë në çastin e arrestimit.