Showbiz

Kastro Zizo zbulon projektin që nuk u realizua kurrë me protagonist Edi Ramën

Kastro Zizo ishte sot i ftuar në Live From Tirana ku na zbuloi disa nga ‘ëndrrat në sirtar’ që ende nuk i ka realizuar. Këngëtari dhe moderatori u shpreh se megjithëse po punon me shumë projekte muzikore e jo vetëm, ai thotë se më i madhi që ka realizuar deri tani është djali i tij i vogël i cili ka vetëm pak kohë që ka ardhur në jetë.

Kastro gjithashtu foli për bashkëpunimin më të ri me Alban Kondin dhe Bojken Lakon që do të vijë si projekt konkurrues në edicionin e ri të festivalit të RTSH-së. Një ndër prurjet më të reja muzikore të tij është edhe “Vallja e Jetës” për të cilin ai ndihet shumë krenar.

Sakaq, Zizo ka një projekt që i ka mbetur peng prej kohësh që fatkeqësisht nuk arriti të realizohej kurrë. Bëhet fjalë për një klip të veçantë ku protagonist do të ishte Kryeministri Edi Rama. “Ne kishim në plan ta realizonim që në kohën kur Rama ishte Kryetar Bashkie. Klipi do të ishte i rrëmujshëm por do të pëlqehej shumë nga publiku. Ne do të hynim në zyrën e tij brenda Bashkisë dhe do të thyenim çdo gjë me shkop bejsbolli” -tha Kastro për mikrofonin e Top Albania Radio.

Edhe pse ky klip nuk arriti të realizohej kurrë, Kastro Zizo do të vijë gjithmonë ndryshe e me projekte të veçanta muzikore. Disa prej tyre do të jenë komerciale pasi këto të fundit tërheqin masën por edhe nga ato të çuditshmet të cilat ai i do kaq shumë.