Bota

KE propozon lehtësimin e masave anti-COVID të udhëtimit!

Komisioni Europian iu propozon të gjitha vendeve anëtare të BE-së që gradualisht të lehtësojnë masat e udhëtimit gjatë verës. Pandemia është zbutur ndërsa numri personave të vaksinuar ndaj COVID-it vazhdon të rritet. Brukseli zyrtar po përpiqet të harmonizojë masat e udhëtimit që do të vlenin për të gjitha vendet anëtare.

Komisioni propozon që njerëzit plotësisht të vaksinuar të përjashtohen nga testimi ose karantina kur udhëtojnë nga një vend i BE-së në tjetrin. Eurokomisioneri për Drejtësinë, Didier Reinders prezantoi propozimet e masave të reja.

Personat që kanë certifikatën digjitale COVID-19, përmes së cilës dëshmojnë se kanë marrë dozën e fundit të vaksinës kundër COVID-19, nuk duhet t’iu nënshtrohen asnjë mase kufizuese. Për këtë duhet të kenë bërë dozën e fundit, të paktën 14 ditë para udhëtimit. E njëjta e drejtë duhet të vlejë edhe për personat që dëshmojnë se e kanë kaluar infektimin nga koronavirusi e për të miturit që i shoqërojnë. Për të tjerët, Komisioni Europian ka propozuar që masat të zbatohen në varësi të vendit të BE-së nga vijnë.

Asnjë masë kufizuese për ata që udhëtojnë nga zonat e gjelbra. Për ata nga zona portokalli do të kërkohet vetëm testi negativ, por jo karantina. Ndërkaq, karantinë pritet për udhëtarët të cilët vijnë nga zonat e kuqe, derisa të dalin rezultatet e testit. Por ka edhe një zonë të klasifikuar si “e kuqe e mbyllur”, pra që kanë situatë të rëndë epidemiologjike. Për ta do të kërkohet testimi, si dhe karantina.

Ditë më parë, Komisioni Europian arriti marrëveshje me Parlamentin dhe Këshillin e BE-së për certifikatat digjitale të COVID-it. Me këto dokumente do të dëshmohet se personi është vaksinuar, e ka kaluar sëmundjen ose se e ka rezultatin e testit ndaj koronavirusit. Komisioni Europian ka propozuar që testet PCR të pranohen me afat prej 78 orësh, ndërsa të shpejtët antigjen, të jenë të vlefshëm për 48 orë. Brukseli po diskuton me shtetet e tjera që të kenë njohje reciproke të certifikatave të COVID-it, që të lehtësohet udhëtimi edhe prej tyre.