Bota

Kievi tërheq jashtë vijës së frontit tanket Abrams, zyrtarët amerikanë: Shkak taktikat ruse me dron!

Ukraina ka hequr tanket amerikane Abrams M1A1 jashtë vijës së frontit, pjesërisht për shkak të taktikave ruse të dronëve, kanë thënë zyrtarët e Pentagonit.

SHBA ra dakord të dërgonte 31 Abrams në Ukrainë në janar të vitit 2023. Pesë janë shkatërruar nga sulmet ruse.

Përhapja e dronëve do të thotë se “nuk ka terren të hapur ku mund të kalosh pa frikë nga zbulimi” , tha të enjten një zyrtar i lartë i Mbrojtjes sipas The Guardian.

“Tani, ka një mënyrë për ta bërë atë”, tha ai. “Ne do të punojmë me partnerët tanë ukrainas dhe partnerë të tjerë në terren, për t’i ndihmuar ata të mendojnë se si mund ta përdorin atë , në atë lloj mjedisi të ndryshuar tani, ku gjithçka shihet menjëherë .”

Ukrainasit nuk kanë adoptuar taktika që mund t’i kishin bërë tanket më efektive , tha një nga zyrtarët e mbrojtjes amerikane, si për shembull në luftën e armëve të kombinuara, trajnimi për të cilin u ofrua nga SHBA në Gjermani. Forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha të tankeve dhe pajisjeve të tyre të blinduara për shkak të mbikëqyrjes dhe sulmeve shumë efektive nga njësitë luftarake të dronëve ukrainas.

Sulmet intensive të artilerisë, raketave dhe dronëve në të dyja anët e vijës së frontit Rusi-Ukrainë lanë të paktën 10 persona të vdekur dhe më shumë se një duzinë të plagosur, thanë zyrtarët rajonalë.

Sulmet ruse vranë të paktën gjashtë në rajonin e Donetskut, thanë zyrtarët ukrainas. Katër persona u vranë në pjesët e pushtuara nga Rusia të Ukrainës jugore dhe lindore, sipas autoriteteve të instaluara nga Moska.

Kina duhet të ndalojë së mbështeturi luftën e Rusisë në Ukrainë nëse dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me perëndimin , tha të enjten në Berlin sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Vitin e kaluar, Rusia importoi 90% të mikroelektronikës së saj nga Kina, e përdorur për të prodhuar raketa, tanke dhe avionë. Kina po punon gjithashtu për t’i ofruar Rusisë aftësi satelitore dhe imazhe të përmirësuara”, tha ai. “Kina thotë se dëshiron marrëdhënie të mira me perëndimin … Ata nuk mund t’i kenë të dyja mënyrat.”