Bota

Macron: Koordinimi me Kinën për Ukrainën mbetet vendimtar!

Në hapje të takimit në pallatin Elize me homologun kinez, Xi Jinping, si dhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidenti francez, Emmanuel Macron nënvizoi rëndësinë e koordinimit me Pekinin mbi krizat e mëdha në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Kjo është absolutisht vendimtare!

Presidenti francez kërkoi dhe rregulla të drejta për të gjithë në tregtinë mes Europës e Kinës.

E ardhmja e kontinentit tonë do të varet gjithashtu shumë qartë nga aftësia jonë për të vazhduar të zhvillojmë marrëdhëniet me Kinën në një mënyrë të ekuilibruar. Ndërkohë që koordinimi me Pekinin për krizat e mëdha në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme është absolutisht vendimtar.

Zgjedhja që Xi bëri për ta vizituar Francën si fuqi europiane, vë në pah raportet e ngrohta mes Kinës dhe këtij vendi, që kur Macron zhvilloi vizitën e tij të parë në Kinë në prill të vitit 2023. Televizioni shtetëror kinez, CCTV, raportoi se avioni i Xi-së u ul në Paris dje pasdite. Në aeroport u prit nga kryeministri francez, Gabriel Attal.

Sot, Xi zhvillon takime në Paris, përfshirë një me shefen e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.  Një prioritet kyç i Macron-it është që ta paralajmërojë udhëheqësin kinez nga rreziku që paraqet mbështetja e Rusisë në pushtimin e Ukrainës. Zyrtarët perëndimorë kanë shprehur shqetësime se Moska po përdor pajisje kineze në prodhimin e armëve.

Raportet e Pekinit me Moskën kanë qenë të mira edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 2022-shin e Perëndimi dëshiron që Kina, të mos e furnizojë me armë Rusinë.

Eshtë në interesin tonë që Kina të ndihmojë në stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Ne duhet të punojmë me Kinën për të ndërtuar paqen, tha Macron gjatë një interviste për Economist, që u publikua të enjten e kaluar.  Edhe Europa duhet të mbrojë “interesat strategjike” të saj në raportet ekonomike me Kinën.

Pas Parisit, Xi do të vizitojë Serbinë e Hungarinë, vende që krenohen se kanë dy nga qeveritë më miqësore me shtetin kinez në Europë. Presidenti i Kinës, nesër do të jetë në Beograd, pikërisht në ditën kur shënohet 25-vjetori i bombardimit nga NATO i selisë së Ambasadës së Kinës atje, në vitin 1999. Kjo ditë shërben si një ngjarje e madhe në marrëdhëniet e vendeve dhe nxit një armiqësi të përbashkët të Kinës dhe Serbisë ndaj aleanca ushtarake perëndimore.

Në Serbi, zyrtarët kinezë kanë paralajmëruar nisma për investime të reja dhe Xi pritet që gjatë takimit me presidentin Aleksander Vuçiç, ta ftojë shtetin serb që të bëhet pjesë e grupit BRICS. Në Hungari nga 8-10 maj, Xi pritet të bëjë publike një mori marrëveshjesh të reja me Budapestin.