Aktualitet

Komisioni i Ekonomisë miraton në parim projektbuxhetin 2024!

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, sot miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2024, me 10 vota pro e një kundër, që ishte ajo e demokratit Edmond Spaho, i vetmi nga opozita që mori pjesë në komision.

Deputetja Antoneta Dhima deklaroi:

Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar në mbledhjet përkatëse në parim dhe në tërësi projektbuxhetin 2024 për të ardhurat, shpenzimet dhe borxhin publik, si dhe ka shqyrtuar paketën fiskale që do të zbatohet vitin që vjen.

Komisioni ka zhvilluar dëgjesë me ministrat e dikastereve të Ekonomisë, Bujqësisë, Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ku është njohur më në detaje me mbështetjen që adreson projektbuxheti 2024 për reformën e rritjes së pagave dhe pensioneve, rritjen e të ardhurave, mbështetjen sociale, vijimin e konsolidimit fiskal e decentralizimin  e qeverisjes.

Projektbuxheti 2024 projekton rritje të financimit në të gjithë sektorët kryesorë, siç janë arsimi, mbrojtja, drejtësia ku buxheti është dyfishuar, ndërsa për mbrojtjen, për herë të parë buxheti është rritur në 2% të PBB-së, duke përmbushur kështu një detyrim si vend anëtar i NATO-s.

Sa i përket arsimit, Buxheti 2024 ka një rritje të ndjeshme të pagave dhe rritje ndaj totalit të shpenzimeve për arsimin vendor që arrin në 78.8 miliardë lekë, me rritje 9.8 milion lekë ose afro 100 milion lekë.

Në lidhje me buxhetin vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisjeje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me Buxhetin e vitit 2023.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, bëri të ditur se për vitin 2024, Buxheti i Shtetit akordon një fond prej 45 milion lekësh për programet e nxitjes së punësimit.

Vitin e ardhshëm, 2 mijë individë do të përfitojnë mbështetje përmes programeve për nxitjen e punësimit. Qeveria do të vijojë mbështetjen për programet e nxitjes së punësimit, për një përfshirje më të gjerë në tregun e punës dhe uljen e mëtejshme të normës së papunësisë.

Në zbatim të këtyre programeve, Zyrat e Punësimit kanë ndërhyrë në mënyrë të dedikuar për të nxitur dhe mbështetur plotësimin e vendeve të reja të punës, duke bashkëpunuar me punëdhënësit nëpërmjet subvencionimit të tyre.

Përmes programeve afatshkurtra deri në ato 12-mujore, qeveria shqiptare ofron mbështetje financiare për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve të rinj.