Aktualitet

Koncesioni i Sterilizimit, ish-ministri Beqaj në SPAK për t’iu komunikuar akuza “Shpërdorim detyre”!

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’iu komunikuar akuza për “Shpërdorim detyre” në dosjen e Sterilizimit. Zyrtarisht, Beqaj është nën akuzë nga SPAK-u, ndërsa 8 të pandehurve të tjerë iu komunikua akuza të premten e 15 marsit.

Pas 10 ditësh në pritje të prapësimeve, SPAK-u do ta dorëzojë dosjen në GJKKO, me kërkesën për nisjen e gjykimit. I akuzuar për “Shpërdorim detyre”, Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili mori koncesionin e Sterilizimit. Rrjepaj e Rrapaj janë në burg prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv.ministri akuzohet për “Shpërdorim detyre” ndërsa biznesmeni për “Mashtrim”.

Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të Tenderit të Sterilizimit. Saimir Kadiu, Drejtor Ekonomik dhe Marsela Serjanaj, Drejtoreshë Juridike janë në “Arrest shtëpie” ndërsa mjeku Arben Gjata, si edhe Naile Ajazi, Genc Byrazeri e Petro Mersini, me masën “Detyrim për paraqitje”.

Një muaj më parë u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt e disa aksioneve të tij në një tjetër shoqëri tregtare.

Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, të cilët pritën deri në momentet e fundit për mbylljen e hetimeve, afati i të cilave përfundoi më 15 mars. SPAK-u akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të Sterilizimit me vlerë 100 milion euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.

Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit, të akuzuarit “nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën” ndërsa sipas akuzës “Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj”. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK-u janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin, si dhe mosrealizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.

Të akuzuarit dhe akuzat:

Ilir Beqaj              Shpërdorim detyre

Ilir Rrapaj             Mashtrim

Klodian Rjepaj     Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Saimir Kadiu        Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Marsela Serjana   Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Arben Gjata          Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Naile Ajazi            Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Genc Byrazeri      Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Petro Mersini       Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës