Aktualitet

Kosova dhe Shqipëria ndër shtetet me mbështetjen më të lartë për udhëheqjen amerikane!

Shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë një mbështetje të lartë për lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kompania e njohur ndërkombëtare e sondazheve, Gallup publikoi sondazhin e fundit “Vlerësimi i Liderëve Botërorë, SHBA-të kundrejt Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë”.

Kosova është shteti me mbështetjen më të lartë në Europë ndaj lidershipit amerikan, me 83% të të anketuarve që janë pro, ndërsa 6% nuk e mbështesin dhe 10% refuzuan të përgjigjen.

E dyta Polonia, me 73% mbështetje, 16% kundër dhe 21% që refuzojnë të japin opinion.

Shqipëria renditet e treta. 63% e të anketuarve u shprehën pro lidershipit të SHBA-ve dhe 16%, kundër. Niveli i refuzimit është i lartë, në 21%.

Ndonëse Kosova dhe Shqipëria janë dy shtetet me mbështetjen e parë e të tretë më të lartë, ajo ka rënë në raport me sondazhet e mëparshme, me 6 pikë përqindje për secilin. E njëjta tendencë edhe për Poloninë (-7). Mbështetja globale për lidershipin e SHBA-ve ishte 41%.

Në krahasim me rajonin, Kosova dhe Shqipëria kanë një vlerësim shumë më të lartë për politikat amerikane. Po në rajon, mbështetjen më të ulët e ka Serbia, me vetëm 10% pro lidershipit amerikan dhe 61% kundër (21% refuzuan të përgjigjen). Në fakt, Serbia rezulton e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Rusinë (6% pro dhe 88% kundër).

Pas Serbisë, më pak tek drejtimi i SHBA-ve besojnë shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës (27% pro), Malit të Zi (30%), Maqedonisë së Veriut (37% pro),

Sipas raportit, sondazhet e Gallup në më shumë se 130 vende tregojnë se rendi botëror mbeti kryesisht i pandryshuar vitin e kaluar. As SHBA-të, as Gjermania nuk morën një miratim global të udhëheqjes së tyre prej më shumë se 50%, por gjithsesi lidershipi gjerman fiton vlerësim më të lartë se ai i SHBA-ve.

Megjithatë, këto dy shtete ende ishin në pozita shumë më të forta se Kina dhe Rusia, të cilat kanë vlerësim të ulët rekord pas pushtimit të Ukrainës.

Në vitin e tretë të presidencës së Joe Biden-it, vlerësimi mesatar global i miratimit të lidershipit të SHBA-ve ishte 41% në 133 vende e territore. Ky vlerësim është i njëjtë me vitin e kaluar dhe më i ulët se ai prej 45% pozitiv gjatë vitit të tij të parë të plotë në detyrë.

Në vitin e dytë të plotë nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz, Gjermania mbeti fuqia globale me vlerësimin më të lartë për të shtatin vit radhazi.

Në vitin 2023, miratimi mesatar i lidershipit të Gjermanisë në 134 vende dhe territore ishte 46%, i pandryshuar nga viti 2022. Të dy vlerësimet janë ulur nga niveli prej 50% që rezultoi më 2021-shin, por janë ende më të larta se shumicën e mandatit të gjatë të ish-kancelares Angela Merkel.

Gjermania dhe SHBA-të vazhduan të kishin vlerësime më të larta të miratimit se Kina apo Rusia. Vlerësimi i miratimit të Kinës u rrit paksa në 30%, por ende ishte afër nivelit më të ulët.

Vlerësimi global i miratimit të Rusisë prej 22% në vitin 2023 është statistikisht po aq i dobët sa vlerësimi i saj prej 21% pasi pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit 2022.

Ndërsa Amerika dhe aleatët e saj në Europë dënuan pushtimin rus të Ukrainës, miratimi për Rusinë ra pothuajse në çdo rajon të botës në vitin 2022, duke ofruar dëshmi se kundërshtimi ndaj veprimeve të saj ishte shumë më i gjerë.

Ndërsa lufta në Ukrainës vazhdon, përbuzja mbetet po aq e fortë në Europë. Megjithatë, ka shenja se po zbutet gjetkë, veçanërisht në Afrikë, sipas raportit të Gallup-it.