Aktualitet

Kryediplomati italian Tajani: Marrëveshja me Shqipërinë, kundër trafikantëve të emigrantëve!

“Bashkë me Shqipërinë, që është një vend mik aleat në NATO, por edhe një vend që së shpejti do të jetë në Bashkimin Europian, ne synojmë të bëjmë një betejë të përbashkët kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në Pallagorio, në provincën e Crotones, në kuadër të manifestimit për kremtimin e 100-vjetorit të vdekjes së Anselmo Lorecchios e ku mori pjesë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Anselmo Lorecchio ishte një avokat, gazetar, politikan, poet dhe shkrimtar italian me origjinë shqiptare, themelues i gazetës “La Nazione Albanese”, si dhe autor i disa veprave letrare për Pavarësinë e Shqipërisë

Në përgjigje të një pyetjeje mbi marrëveshjen që parashikon krijimin e qendrave për emigrantët në Shqipëri e që kohët e fundit është vënë në qendër të reagimeve për shkak edhe të një reportazhi të transmetuar në televizionin italian “Rai 3”, Tajani theksoi:

Eshtë një projekt shumë i rëndësishëm, i cili do të shërbejë edhe për veprim të përbashkët kundër trafikantëve të qenieve njerëzore. Ne duam që të presim emigrantë të rregullt në Itali. Ekziston dekreti i fluksit që parashikon rreth gjysmë milion emigrantë të rregullt, por ne duhet që të luftojmë trafikantët e qenieve njerëzore të cilët shfrytëzojnë njerëzit duke thënë se në Evropë ata do të gjejnë parajsën në Tokë, kur në të vërtetë nuk është kështu.

Ne synojmë që në këtë betejë të përbashkët të luftojmë sepse trafikantët e qenieve njerëzore, trafikantët e drogës, trafikantët e armëve e ata që trafikonin edhe cigare, gjithmonë janë të njëjtët.

Organizatat kriminale duhen luftuar dhe mposhtur me bashkëpunim ndërkombëtar. Bashkëpunimi Shqipëri-Itali shkon pikërisht në këtë drejtim, siç deklaroi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani në përgjigje të interesimit të medias.

Më herët, sot në podcastin “Flasim”, kryeministri Rama sërish u ndal te emisioni në “Rai 3” dhe deklaroi:

Sot ka një shpejtësi aq të madhe të dhënies së informacionit sa ai që është lajm i ri në mëngjes, bëhet lajm i vjetër në darkë dhe nuk ka kohë për të verifikuar.  Nuk kishte ndodhur në të shkuarën që të bëhej një reportazh pa asnjë verifikim të gjërave që thonin.

Ajo që ndodhi nuk duhej të kishte ndodhur para disa vitesh. Të bësh një emision ku të marrësh nëpër gojë persona të cilët janë të gjallë, janë persona publikë, kanë një përgjegjësi përpara të gjithëve e të mos kërkosh versionin e tyre, mos të verifikosh… Faktikisht ata jo vetëm i ishin referuar, por ishin të gjitha gjëra të marra nga këtu.

Në momentin kur nga një burim tjetër, ti merr një lajm ose një tërësi faktesh që janë problematike dhe as nuk i verifikon e nga ana tjetër, viktimën e atyre që ke marrë, ti e rigodet pa bërë verifikim, kjo nuk do të kishte ndodhur më parë.

Pjesa kulmore fare ishte mohimi i faktit që ndërkohë përgjigjet që ata kishin kërkuar i kishin marrë dhe nuk i publikuan. Kjo është një e drejtë abuzive e tyre, por nuk mund të thonë që nuk i kemi marrë përgjigjet.