Celebrities Showbiz

Kur fraza “E ka bërë për mua këtë” merr kuptim! Sabiani publikon këngën e re mbi eksperiencën në “BBV”!

Sabiani ka qenë një nga banorët më energjik dhe pozitiv brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP”. Shpesh herë na ka bërë për vete me karakterin dhe sensin e tij të humorit. Le të mos harrojmë këtu dhe miqësinë e fortë që krijoi me Ilir Shaqirin.

Pas daljes së tij nga shtëpia ai publikoi një këngë të titulluar “Tradhtare”, e cila kur është vendosur brenda shtëpisë, Iliri është përlotur dhe ka thënë: “E ka bërë për mua këtë”. Një frazë kjo që u bë virale në atë kohë.

Tashmë Sabiani ka ardhur me një tjetër projekt muzikor, “Për ju”, të cilin e ka publikuar ditën e djeshme. Kjo duket të jetë bërë për qëndrimin e tij brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, momentet që ka kaluar e po ashtu edhe për gjetjen e një miku të ngushtë si balerinin, Ilir Shaqiri.

Videoja gjithashtu përfshin momentet më të mira të këngëtarit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Në kanalin e tij në YouTube, lidhur me këtë këngë është shkruar:

Hyra në Big Brother për të testuar veten dhe pse jo që njerëzit të njihnin Sabianin e vërtetë. Çmimi është dashuria që dhuroni pa kushte. Malli për fëmijët e mi dhe gjetja e një vëllai gjatë këtij rrugëtimi. Prandaj kjo këngë është “Për ju”.

 

Rikujtojmë se, shumë pak dimë mbi jetën e tij private, që Sabiani ka vendosur që ta mbajë larg vëmendjes së publikut dhe mediave.  Së fundmi i ftuar në “Goca dhe Gra”, artisti ku ka folur rreth eksperiencës së tij në “Big Brother VIP”, por edhe për jetën personale.

Sabiani ka treguar se kalon shumë kohë me fëmijët e tij, por është mërzitur paksa për djalin sepse nuk i fliste në momentin që doli nga shtëpia. Ndër të tjera ai është pyetur për marrëdhëniet me nënat e fëmijëve të tij, ku ka treguar se ka një raport të shkëlqyer dhe i vlerëson për faktin se nëse nuk do të ishin ato nuk do të kishte fëmijët. Ai është shprehur për to me këto fjalë:

Do të jem shërbëtori i tyre gjithë jetën.