Aktualitet Bota Botë e Çuditshme

Ky njeri kursimtar, jeton prej 10 vitesh në “botën e egër” me qenin e tij…

Një burrë kursimtar që nuk ka qejf të paguajë fatura në qytet, ka ndërtuar vetë shtëpinë e tij prej druri në botën e egër, ku jeton me qenin e tij për të kursyar mijëra dollarë në vit.

34 vjeçari turk Hakan Karahan, braktisi jetën e zhurmshme të Stambollit për jetesën e thjeshtë të mbijetesës në pyll, e cila nuk i kushton thuajse asgjë.

Karahan pretendon se ka kursyer rreth 300 000 dollarë që kur nisi të jetojë jashtë sistemit një dekadë më parë. Ai jeton me qenin e tij të racës Akita, Sila, të cilin e ka adoptuar vetëm në 2021.

Edhe qeni duket i kënaqur me jetën e tij të re, për të cilën Karahan thotë se i kursen shumë para pasi nuk ka për të paguar fatura qiraje, uji, dritash apo ngrohjeje.

Karahan tregon: “Në natyrë të gjitha faturat me kushtojnë thuajse 0, kur më pare paguaja rreth 40 000 dollarë në vit. Unë kam lindur në Stamboll, një qytet me më shumë se 20 milionë njerëz, por dhjetë vitet e fundit kam mbijetuar këtu vetëm me ato që më ofron natyra”.

Ai thotë se është vendosur pranë një burimi uji që e përdor për t’u larë dhe krijon vatrat e zjarrit për t’u ngrohur në muajt e dimrit.

Ndërsa në vend që të blejë produkte nëpër supermarkete, ai kërkon në pyll dhe mbledh ‘dhuratat’ falës të natyrës për të ushqyer veten dhe qenin e tij.

“Çdo ditë e nis herët në agim. Vendosem zakonisht pranë burimeve të ujit, bëj banjë në ujëvarë, dhe ndërtoj streha dhe vatra zjarri për t’u ngrohur. Nuk kam probleme për ngrohjen”.

Karahan thotë se kryesisht jeton me kërpudha të cilat rriten me bollëk në pyll, dhe qeni i tij Sila ‘nuk i kundërshton ato’.

“Preferoj kërpudhat për ushqim sepse ka shumë në rajonin ku po jetoj. Qenit tim i pëlqen mishi por nuk bën naze dhe ha atë që ha unë”.

Karahan pranon se preferon të jetojë i izoluar me qenin e tij pasi “njerëzit e nxitën ta bënte këtë”.

Ai dëshmon: “Ishin njerëzit që më nxitën të jetoj këtë jetë në natyrë. U largova nga njerëz manipulues me dy fytyra dhe tani po strehohem në botën e egër. Jeta me qenin është shumë e bukur. Megjithëse është qen i zbutur ai më ka mbrojtur nga shumë rreziqe pasi kemi lidhje të fortë. Kam mësuar të përballoj sfidat e jetës në të egër. Të gjithë mund ta bëjnë këtë nëse dalin nga ‘zona e tyre e komfortit’, të tejkalojnë veten e tyre dhe rrethanat artificiale të jetës moderne”.

Karahan thotë se më parë punonte 60 orë në javë dhe kishte rrogë të mirë por vendosi të hiqte dorë nga gjithçka për të jetuar me natyrën, shkruan rrjeti britanik The Sun.

Mediat britanike kanë shkruar më parë dhe për një komunitet të ngjashëm që jeton në streha të improvizuara në pyjet e Somerset në jug të Britanisë, apo dhe familjen Tizard që jeton jashtë sistemit në pyjet e Devon në juglindje.