Aktualitet

“Lërini armët të pushojnë!”/ Papa Françesku bën sërish thirrje për t’i dhënë fund konfliktit mes Izrael-Hamas!

Papa Françesku, duke folur para besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit, iu referua sërish sot në mesditë zhvillimeve dramatike në Lindjen e Mesme.

Papa Françesku bëri sërish thirrje  që ’u jepet fund luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, duke theksuar se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të jetojë në paqe.

Çdo ditë, mendimet e mia shkojnë te situata shumë e rëndë në Izrael dhe Palestinë. Unë qëndroj me të gjithë ata që vuajnë, palestinezët dhe izraelitët. Në këtë kohë të errët, unë ju përqafoj dhe lutem për këta njerëz. Lërini armët të pushojnë. Ata kurrë nuk do të sjellin paqe. Dhe le të mos zgjerohet konflikti. Mjaft vëllezër!, tha papa Françesku.

Duke iu referuar veçanërisht situatës në Gaza, Papa shtoi:

“Në Gaza, le të jepet ndihma e menjëhershme për të plagosurit, le të mbrohen civilët, le të dërgojmë qartësisht më shumë ndihmë humanitare për këtë popullsi të vuajtur. Le të lirohen pengjet, mes të cilëve ka kaq shumë gra e fëmijë. Çdo person, i krishterë, hebre, mysliman, nga çdo popull apo fe, çdo person, në sytë e Zotit është i shenjtë dhe i çmuar. Ai ka të drejtë të jetojë në paqe. Të mos e humbim shpresën. Le të lutemi dhe të punojmë pa u lodhur, që ndjenja e humanizmit të mbizotërojë mbi analgjezinë e zemrave”.

Kjo nuk është hera e parë që Papa Françesku bën thirrje për armëpushim.

Papa ka bërë thirrje për krijimin e korridoreve humanitare dhe ka thënë se nevojitet një zgjidhje me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit Izrael-Hamas.

Shumë pak ndihma kanë hyrë në Gaza që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit më shumë se një muaj më parë, pasi militantët pushtuan Izraelin jugor.

Zyrtarët izraelitë pretenduan se rreth 1200 njerëz u vranë në sulm dhe më shumë se 200 të tjerë u morën peng.

Që atëherë, zyrtarët palestinezë kanë pohuar se 11,078 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore dhe artilerie, ku rreth 40% e të cilëve janë fëmijë.