Bota

Rusia mund të përshkallëzojë luftën në Ukrainë nëse Perëndimi përfshihet direkt në konflikt!

Kremlini i karakterizoi si “të rrezikshme” komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron dhe presidentit francez Emmanuel Macron, që sinjalizonin përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve të tyre në operacionet e Ukrainës në territorin e pushtuar nga Rusia. “Ky është një përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve rreth konfliktit të Ukrainës, i cili potencialisht mund të përbëjë rrezik për sigurinë europiane, për të gjithë arkitekturën e sigurisë europiane”, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi Dmitry Peskov.

Këtu ne shohim një prirje kaq të rrezikshme të përshkallëzimit të tensioneve në deklaratat zyrtare. Kjo është një arsye për shqetësimin tonë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova:

Kjo është hera e parë që një politikan perëndimor e ka pranuar kaq sinqerisht atë që ka qenë prej kohësh një sekret i njohur për shumicën e vendeve të botës: se Perëndimi po kryen një luftë të fshehtë kundër Rusisë me duart e ukrainasve. Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike.

Gjatë një vizite në Kiev, David Cameron i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Ukraina ka të drejtë të sulmojë në vetëmbrojtje.

Ashtu si Rusia po godet brenda Ukrainës, ju mund ta kuptoni plotësisht pse Ukraina është detyruar të marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur.

David Cameron premtoi 3.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore për Ukrainën.

Londra nuk ka asnjë kundërshtim ndaj përdorimit të armëve të saj për sulme brenda Rusisë.

Në një intervistë, presidenti francez Macron ritheksoi pikëpamjen se ai nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, një veprim që Rusia tha se do të çonte në një përshkallëzim të drejtpërdrejtë dhe të rrezikshëm të tensioneve rreth konfliktit në Ukrainë.

Zëdhënësja Zakharova shtoi:

Rusia është e gatshme të marrë në konsideratë propozimet “serioze” të paqes nga Ukraina, bazuar në realitetet ekzistuese dhe shqetësimet e sigurisë së Moskës, përfshirë zotimin që Ukraina të mbetet ushtarakisht neutrale në të ardhmen.

Kushtet e Moskës janë identike me ato që Ukraina tashmë i ka refuzuar disa herë. Gjithashtu, Moska paralajmëroi dje se do të përgjigjet me “sulme hakmarrëse shkatërruese” nëse Ukraina godet Krimenë ose Urën e Krimesë, që lidh Rusinë jugore me gadishullin e Detit të Zi.

Ura e Krimesë është sërish në pikëpyetje. Përgatitjet për një sulm ndaj saj, gjë që është e vështirë të besohet, tani po bëhen hapur, me guxim dhe me mbështetjen absolute të drejtpërdrejtë e të paturpshme të Perëndimit.

Ukraina që është furnizuar me sistemin e raketave me rreze të gjatë veprimi “MGM-140” nga Shtetet e Bashkuara, po planifikon të sulmojë urën përpara ose më 9 maj, datë që përkon me përvjetorin e mposhtjes së Gjermanisë naziste nga Rusia në Luftën e Dytë Botërore.

Flota ruse e Detit të Zi, e sulmuar vazhdimisht nga Ukraina, është e stacionuar në Krime. Kievi e konsideron “të paligjshëm” ndërtimin e urës rrugore dhe hekurudhore, e përdorur në të kaluarën për të lëvizur trupat ruse dhe armatimin që përdoret kundër Ukrainës. Kievi kërkon kthimin e Krimesë nën autoritetin ukrainas. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Një raketë ruse goditi rajonin qendror të Ukrainës, Kirovohrad dje, duke plagosur një civil dhe duke dëmtuar shtëpi e infrastrukturën civile.

Infrastruktura energjetike e Ukrainës ka qenë në shënjestër të sulmeve të intensifikuara të Rusisë në muajt e fundit. Ushtria ruse ka goditur rrjetin energjetik të Ukrainës me raketa dhe dronë, ndërsa Kievi po përballet me një mungesë serioze të armëve të mbrojtjes ajrore.

Dy persona u vranë dje në një sulm rus në qytetin e Kurakhovës, që ndodhet në rajonin lindor të Donetskut, ku po zhvillohen luftime të ashpra mes forcave ukrainase dhe ruse./Zëri i Amerikës