Bota

Lufta në Ukrainë, Zonja e Parë e Amerikës viziton Rumaninë dhe Sllovakinë

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, do të vizitojë Rumaninë dhe Sllovakinë nga data 5 deri më 9 maj, për të takuar anëtarë të shërbimeve amerikane atje, refugjatë ukrainas, punonjës të organizatave humanitare e të tjerë, bëri të ditur zyra e saj.

Rumania dhe Sllovakia – vende anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian – kanë pranuar qindra mijëra refugjatë nga Ukraina, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj, më 24 shkurt.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, afro 5.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit.

Mbi 3 milionë janë vendosur në Poloni. Rumania, ndërkaq, ka pranuar 817,000 dhe Sllovakia gati 372,000.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka propozuar një paketë të madhe – në vlerë prej 33 miliardë dollarësh – për armatimin dhe mbështetjen e Ukrainës.

Udhëtimi i zonjës Biden pason udhëtimin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Kiev, në fundjavën e shkuar. Pelosi u takua atje me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe me zyrtarë të tjerë.

Zelensky postoi një video më 1 maj nga takimi me Pelosin.

“Ne besojmë se po ju vizitojmë për t’iu thënë faleminderit për luftën tuaj për liri”, i tha Pelosi Zelenskyt.

“Ne jemi në kufirin e lirisë dhe lufta juaj është për të gjithë. Angazhimi ynë është të jemi aty për ju derisa të përfundojë lufta”, shtoi ajo.

Pelosi arriti në kryeqytetin ukrainas më 30 prill së bashku me një delegacion që përfshin anëtarë të Dhomës, Jason Crow (Demokrat nga Kolorado), Jim McGovern (Demokrat nga Masaçusets) dhe Adam Shift (Demokrat nga Kalifornia).

Kjo vizitë është e paparalajmëruar dhe vjen në kohën kur SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë shtuar përpjekjet për t’i dërguar ndihmë ushtarake dhe mbështetje tjetër për Ukrainën.

Pelosi tha se delegacioni ka “përcjell mesazhin se ndihma amerikane është duke ardhur”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, javën e kaluar i kërkoi Kongresit që të miratojë një paketë të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 33 miliardë dollarësh.

Zelenksy postoi në Twitter: “SHBA-ja po udhëheq mbështetjen e fuqishme për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus”.