Aktualitet

Mbi 1 miliard euro drogë, Europol godet grupin kriminal me shumicë shqiptare!

Trafiku i drogës, goditet një rrjet trafikantësh që kryesisht përbëhej nga shtetas shqiptarë. Çmontimi i bë falë një operacioni nga Europol dhe Eurojust. Në pranga përfunduan 35 persona, ndërsa mësohet se aksioni u shtri në tre vende europiane, Gjermani, Itali e Holandë.

Bëhet e ditur se kryesisht, të arrestuarit merreshin me trafikun e kokainës dhe të kanabisit nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Europës.

Nga hetimet, gjithashtu rezultoi se rrjeti kriminal ishte përfshirë dhe në raste dhune e në episode torturash e rrëmbimesh. Nga këto hetime të kryera, doli se vetëm gjatë periudhës mars 2020 deri në qershor 2021, periudhë që përkon me pandeminë koronavirus, të arrestuarit futën në Europë rreth 1 ton kokainë dhe 1 ton hashash. Nga shitja e tyre gjeneruan më shumë se 1 miliardë euro fitime.

Gjatë operacionit u angazhuan më shumë se 600 efektivë policie ndërsa u kontrolluan më tepër se 51 vende të ndryshme në të cilët ky rrjet kriminal kishte ngritur bazat e tij. Ndërkohë u sekuestruan mbi 1 milion euro cash.

Autorët e kishin shtrirë aktivitetin mes Gjermanisë, Italisë dhe Holandës, aty ku dhe bënin të mundur shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në shumicën e rasteve, drogën e transportonin me makina luksoze, ndërsa përdornin dhe aplikacione të ndryshme për të shkëmbyer mesazhet, me qëllim që të mos zbuloheshin nga policia.

Sipas informacioneve të dhëna nga Europol-i, të ardhurat e siguruara nga ky aktivitet kriminal, trafikantët i ndanin sipas roleve përkatëse që kishin ndarë në grup.

Madje, mësohet edhe se për të pastruar paratë, ata kishin blerë restorante luksoze në Gjermani, si dhe agjenci imobiliare të ndryshme. Hetimet ndaj grupit të shqiptarëve nisën në shtator të vitit 2021.