Aktualitet

I dënuar në Itali për drogë, i konfiskohet pasuria në Kukës!

Gjykata e Kukësit pranon kërkesën e prokurorisë së qytetit në verilindje të vendit në lidhje me konfiskimin e pasurive të shtetasit me iniciale Sh.H, i cili rezulton i dënuar në Itali për akuzën e “Shpërndarjes së lëndëve narkotike”. Në vendin fqinj, del të jetë kapur teksa shpërndante drogë të llojit kokainë. Sigurimi pasuror i sekuestros u vendos mbi pasuri të paluajtshme e automjete.

Në informacionin zyrtar të publikuar në media thuhet:

Sipas njoftimit për mediat, Prokuroria Kukës, më datë 13.01.2020 ka regjistruar referimin pasuror nr. 1, mbi bazën e materialeve referuese të ardhura nga Prokuroria e Krimeve të Renda Tiranë, më datë 14.12.2019, në ngarkim të shtetasit Sh.H, i cili rezulton me rekorde kriminale në Itali.

Ky shtetas është arrestuar në Itali për shpërndarje lënde narkotike, kokainë. Sipas të dhënave të regjistruara në regjistrin e gjendjes gjyqësore të Republikës së Italisë për shtetasin Sh.H. rezulton se më 06.07.2012 është dënuar për veprën penale “posedim i paligjshëm i lëndëve narkotike”.

Sipas këtij vendimi është dënuar me 8 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë, dhe më pas pezullimin me kusht të dënimit sipas nenit 163 të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi pasuror mbi kërkesën e prokurorit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës vendosi; Pranimin e kërkesës”, njofton Prokuroria e Kukësit.

Gjykata ka vendosur sigurimin pasuror të sekuestros mbi pasuritë e paluajtshme në zotërim të shtetasit Sh.H. mbi: Pasuria nr. 33/13+4-1, Vol.7, Fq. 46, me sipërfaqe 78m2, me adresë në lagjen nr.4, të regjistruar në emër të H; Pasuria 33/13+4-4, me sipërfaqe 78 m2, në pronësi të shtetasve E.H., R.H dhe Sh.H; Automjet “Mercedez Benz”, e regjistruar në pronësi të shtetases F.H.; dhe Automjet “Audi A3”, në pronësi të shtetases F.H”, lexohet në njoftim.