Bota

Mbi 9 mijë vaksina me tretësirë kripe në vend të Pfizer-it në Gjermani!

Në landin e Saksonisë së Poshtme në Gjermani mund të jenë kryer rreth 10 mijë vaksinime të rreme kundër COVID-it. Dyshohet se një infermiere no-vax, pra me qëndrime kundër vaksinave i ka injektuar tretësirë kripe në vend të vaksinës së Pfizer-it.

Sven Ambrosy, president i distriktit Friesland tha se punonjësja shëndetësore ndoqi këtë metodë, e shtyrë nga bindje të forta mohuese kundrejt vaksinave anti-koronavirus.

Eshtë fjala për persona mbi 70-vjeç, të vaksinuar në periudhën nga data 5 mars deri më 20 prill. Numri mund të jetë 9.673.

Në Gjermani ka patur raste të ngjashme e tani po rritet shqetësimi se po kthehet në një fenomen gjithnjë e më të përhapur. Një zyrtar i policisë gjermane tha se në rastin e infermieres ka një sërë treguesish për të konfirmuar dyshimet se i përket grupeve no-vax.

Kancelarja gjermane Angela Merkel bën thirrje për t’u vaksinuar kundër COVID-19, në sfondin e rritjes së numrit të infektimeve. Kancelarja theksoi se do të ishte mirë të arrihej një normë vaksinimi “deri në 80%”.

Aktualisht, 55.1% e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar plotësisht në Gjermani. Deklaratat e Merkelit vijnë në kohën kur ritmi i vaksinimit është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme.