Showbiz

Mblodhën miliona euro gjatë pandemisë, ja si nderohen çifti i famshëm italian

Blogerja e famshme italiane, Chiara Ferragni dhe këngëtari italian, Fedez janë nderuar me titullin më të lartë, “Ambrogino d’oro”, nga komuna e Milanos për angazhimin e tyre gjatë pandemisë së Covid-19. Çifti i famshëm mblodhën fonde për të krijuar një njësi të re të kujdesit intensiv në spitalin San Raffaele.

Vendimi për nderimin e tyre është marrë nga një komision specifik nga komuna e Milanos. Titulli do i jepet dyshes së njohur italiane më datë 7 dhjetor gjatë festës së Sant’Ambrogio sipas traditës. Pas marrjes së lajmit, Fedez reagoi përmes një postimi në Instagram, duke u shprehur shumë krenar për familjen e tij. “I lumtur dhe krenar për familjen time, skuadra më e bukur në të cilën kam qenë ndonjëherë”.

Çifti i njohur italian kanë qenë gjithmonë shumë aktiv gjatë pandemisë dhe në muajin mars ata mblodhën 3 milionë euro në një ditë. Së fundmi, ata janë përfshirë në një fushatë të iniciuar nga kryeministri italian, Giuseppe Conte, për t’iu bërë thirrje ndjekësve të tyre për mbajtjen e maskës.

Me titullin “Ambrogino d ‘oro” janë nderuar edhe personazhe të tjerë të njohur. Ndërkaq, ceremonia e dhënies së nderimeve këtë vit do të mbahet nën masa të rrepta për shkak të Covid-19.

Rikujtojmë, se Chiara dhe Fedez janë lidhur me njëri-tjetrin rreth vitit 2016. Dyshja u bënë prindër për herë të parë në mars të vitit 2018 të djalit, Leo dhe ndërkohë blogerja më e famshme në botë është në pritjen e fëmijës së saj të dytë, që është një vajzë.