Rajoni

Memli Krasniqi, kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës!

Pa surpriza, Memli Krasniqi u zgjodhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. Në Konventën Zgjedhore ku morën pjesë 476 delegatë, vetëm 7 votuan kundër Krasniqit, i cili garoi i vetëm, pa rivalë. Në të parin fjalim si kryetar deklaroi se “Do të çojë përpara rrugën e nisur nga ish-kryetarët Hashim Thaçi e Kadri Veseli”. Krasniqi theksoi rëndësinë e reflektimit.

Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit, padyshim se do të kemi shumë sfida! Do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata qindra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim!

Ne sot jemi në opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona që i kanë kontribuar kësaj situate. Ndoshta nuk kemi mundur të lexojmë me saktësi të plotë votën e njerëzve ndaj dhe në dy zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mbështetjen e mjaftueshme. Reflektimi është i domosdoshëm!

Në garën për kryetar të PDK-së pritej të ishte edhe Enver Hoxhaj, i cili për 8 muaj ushtroi detyrën e kryetarit. Por pak para përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave, njoftoi se nuk do t’i hynte garës. Në hapje të Konventës, tha se PDK-ja ka nevojë për një reformim e drejtues të rinj.

Partia Demokratike e Kosovës mbeti pa kryetar kur nëntorin e kaluar, Kadri Veseli dha dorëheqje nga drejtimi i saj, pasi në Hagë iu konfirmuan akuzat për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

PDK-ja për gati 17 vjet u udhëhoq nga Hashim Thaçi, i cili po ashtu është në paraburgim në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe kundër njerëzimit.