Rajoni

Seanca për rritjen e pagave të policisë, LVV nuk shkon në seancën e Kuvendit të Kosovës!

Në Kosovë, deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme të ditës së sotme ku po shqyrtohet një projektrezolutë për mbështetjen urgjente financiare për policinë.

Kjo seancë është thirrur nga partitë opozitare, pas asaj të 12 tetorit e që dështoi të mbahej në mungesë të kuorumit. Sërish deputetët e LVV-së e bojkotuan.

Rashit Qalaj deputet nga subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, tha se policia është duke punuar në kushte të rënda dhe kjo sipas tij nuk duhet lejuar.

Nga hyrja në fuqi, më 5 shkurt 2023 e Ligjit për paga në sektorin publik, zyrtarëve policorë u është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, shtesë të cilën policët e Kosovës e kanë marrë gjithmonë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, pasi ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre e të familjeve, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave që kanë marrë policët e Kosovës ka qenë 16 milion euro ose 1.3 milion euro në muaj.

Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për efektivët e rinj dhe shkojnë deri në mbi 1 mijë e 500 euro për drejtorin e përgjithshëm.

Në bazë të ligjit, pagat për punonjësit e policisë janë rritur nga 20 deri në 60 euro. Këtë rritje, policia e ka quajtur “minimale”.

Përmes projekt-rezolutës në Kuvend, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen fondet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për daljen para kohe në pension të zyrtarëve policorë, ndërsa nga 1 janari 2024, për ta të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor.

Javën e kaluar, përfaqësues të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje thanë se tendenca e Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka të bëjë më gjendjen e policisë, por synim i tyre është “pushteti” dhe “jo interesi i shtetit”.