Bota Tech

Meta prezanton robotët me “personalitet”!

Kompania Meta ka prezantuar një seri të re të softuerit apo ndryshe ata që gjerësisht njihen si robotë që  imitojnë të folurën e njeriut përmes teksteve apo edhe zërit. Këta robotë do të kenë “personalitet” dhe do të specializohen në disa fusha të caktuara, të tilla siç janë pushimet apo dhënia e këshillave për gatim.

Kjo është një tjetër përpjekje e Meta-s që të jetë konkurrente në garën mes kompanive të teknologjisë për të prodhuar një inteligjencë artificiale në mënyrë më të saktë e po ashtu më të personalizuar. Robotët janë ende duke u avancuar, vuri në dukje shefi i Meta-s, Mark Zuckerberg.

Në Kaliforni, në një aktivitet të posaçëm të organizuar nga kjo kompani, Zuckerberg ka bërë të ditur se viti 2023 ka qenë “një vit fantastik për inteligjencën artificiale”. Sipas tij, ideja është që të krijohen robotë që nuk dizajnohen vetë për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me kërkesa për përgjigje. Robotët do të kthehen në argëtim.

Këta robotë do të mund të përdoren brenda ditësh, por mësohet se në fazën e parë do të jenë të aksesueshëm vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Njoftimi i Meta-s për robotët është bërë në të njëjtën ditë kur rivali i saj OpenAi, krijues i aplikacionit ChatGPT ka konfirmuar se softueri i tij mund të bëjë kërkime në internet, për t’iu ofruar përdoruesve informacionin e fundit.