Aktualitet Politikë

Debate në Kuvend për sulmet ndaj SPAK-ut/Spiropali: Meta doli nga binarët!

Sot në seancë plenare, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se opozita duhet të “sjellë në binarë” dy liderët politikë, “njëri që sulmon SPAK-un nga maja e ballkonit dhe tjetri që është pushtuar nga deliri duke “kafshuar” SPAK-un”. Referuar Sali Berishës e Ilir Metës, Spiropali u shpreh:

Këtë opinion për baballarët në majë të thanës, njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK-ut dhe tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon SPAK-un dhe kreun e SPAK-ut nëpër ekrane, a keni një opinion për këtë?

Të dy baballarët tuaj as i përmendni, që të dy presidentë të kësaj republike, të dy kryeministra të këtij vendi, të dy bela të këtij populli. Ju s’mund të shpreheni. Na thoni çfarë opinioni keni për ulërimat e tyre? Në emër të tyre vini sot këtu dhe na tregoni gishtin për drejtësinë. Juve ju gënjen mendja dhe mund të hani thana në pemët e tyre e t’i vilni votat në koshin e popullit duke i mbajtur të dy ata mbi supe, siç mbanin shërbëtorët një kohë mbretërit.

Këtu vini e kërkoni sherr duke u përpjekur të mbani kuvendin peng. Çfarë është SPAK-u për ju? Kur SPAK-u godet baballarët tuaj është organizatë kriminale.

Duke iu drejtuar Gazment Bardhit, i cili tha se “maxhoranca po bën avokatin e vëllait të kryeministrit, me urdhër politik”, si dhe hodhi akuza se “Policia e Shtetit dhe segmente brenda prokurorisë, qëllimisht kanë mbrojtur Ols Ramën për dosjen e laboratorit të drogës në Xibrakë”, ministrja Spiropali deklaroi:

O duhet të shkojë në burg trafikanti i përgojuar prej jush ose duhet të përgjigjeni ju si kallëzues i rremë. Në rast se përgjigjja juaj është ajo që na dhatë herën e kaluar, atëherë vazhdoni kështu! Sa i takon mocioneve me debat s’janë as manuale denigrimi, as shpifje, por ky institucion është institucioni më i lartë në vend dhe s’mund të pranojë kërkesat tuaja.

Në nisje të seancës, Bardhi kërkoi futjen në rendin e ditës të mocionit me debat në lidhje me prodhimin e lëndëve narkotike në vend. Por, nga maxhoranca, homologu i tij, kryetari i grupit socialist, Bledi Çuçi u shpreh se për këtë çështje është ezauruar debati politik. Ndërkaq, lidhur me akuzat se opozita po sulmon SPAK-un, Bardhi tha me ironi se janë deputetët dhe ish-ministrat e PS-së që po “parakalojnë” përditë në dyert e Prokurorisë së Posaçme”.

Halli jonë, jeni ju. Nuk shëtisim çdo ditë siç shëtit gjysma juaj. Hyn njëri këtej e del tjetri andej. Çdo ditë ngelët në dyert e SPAK-ut dhe dera e drejtësisë do të ngjitet një kat më lart, te ministrat, te ish-ministrat, te kryeministri. Asnjëri nga ata që përmende ti nuk ka delir madhështie.

Bardhi kujtoi votimin për çështjen e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka:

E pamë herën e shkuar sa e doni drejtësinë. Për interesa korruptive të një ish-ministri, grisët dhe hodhët në kosh një nga vendimet e drejtësisë.