Aktualitet

Ministri Balla: Trajtim i duhur financiar për punonjësit e Shërbimit Zjarrfikës!

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Zjarrfikës, sot u organizua një ceremoni në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se ky shërbim duhet të arrijë në standardet më të larta, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve.

Kemi filluar që të çelim një etapë të re për mënyrën se si duhet trajtuar ky shërbim, i cili ka hyrë në një fazë transformimi të burimeve njerëzore apo mbështetjeje me infrastrukturën e duhur me mjete e pajisje, si edhe trajtimin e duhur financiar.

Në prag të sezonit turistik e gjithashtu sezonit të zjarreve që vijnë për shkak të temperaturave të larta në verë, ministri i Brendshëm tha se angazhimi është i plotë e bashkë me të edhe eksperienca.

Vitin e kaluar kemi patur më shumë se 500 raste shpëtimi, shumica turistë të huaj që duan të shijojnë në maksimum bukuritë natyrore të Shqipërisë, por që është dashur ndërhyrja për t’i gjetur, shpëtuar, evakuuar e po ashtu kthyer në shtëpitë e hotelet ku qëndrojnë.

E ndërsa numri i turistëve pritet të rritet, natyrshëm do të rritet edhe kërkesa për operacione shpëtimi. Ne kemi filluar përgatitjet e po bashkëpunojmë edhe me partnerë të tjerë ku dua të përshëndes Federatën e Alpinizmit. Por, shembulli që na vjen nga vendet e tjera është që Shërbimi Zjarrfikës ka nevojë e neve na duhet edhe vullnetarizmi. Duhet që ta zgjerojmë e të marrim modelet më të mira.

Shërbimi Zjarrfikës ka aktualisht 1 mijë e 300 forca në të 61 bashkitë e vendit tonë. Ministri Taulant Balla ripërsëriti mesazhin se në këtë shërbim duhen njerëz të përgatitur, e siç theksoi “nuk ka vend më për qoka”. Në apelin e tij, nënvizoi:

Të jesh punonjës zjarrfikës ka nevojë për shumë cilësi, fizike por edhe profesionale. Ndaj na duhen njerëz të përgatitur se përballen me sfida të vështira.

Të ftuarit në ceremoninë e rastit ndoqën disa ushtrime të ndërhyrjes, të përgatitura nga trupa e shërbimit zjarrfikës. Përgjatë sezonit turistik, Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit, si dhe Urgjenca do të operojnë me një Trupë të Ndërhyrjes Teknike në disa pika të nxehta e të populluara, për të qenë në gatishmëri në raste të emergjencave.