Bota

Muzeu i njohur i dyllit “kyç” në kuti statujën e Putinit!

Me një vendim të paprecedentë, Vladimir Putinit i hiqet dhe i magazinohet statuja në muzeun e famshëm të dyllit “Grévin” në Paris, që frekuentohet gjerësisht nga turistët.

Presidenti rus përfundon “i mbyllur në një kuti”, pjesërisht për shkak të problemeve të sigurisë, pas disa telefonatave kërcënuese, edhe pse statuja ishte dëmtuar që në vitin 2014 nga goditja e një aktivisteje.

Drejtori i muzeut, Yves Delhommeau:

Kjo heqje ka edhe arsye etike. Vladimir Putin ishte në galerinë kushtuar personaliteteve të mëdha, përfshirë Joe Biden, Elizabeth II, Xi Jinping e Justin Trudeau. Ne kurrë nuk kemi shfaqur diktatorë si Hitleri e nuk duam të shfaqim edhe Putinin. Ndoshta do të vendosim presidentin Zelensky që përfaqëson Ukrainën duke luftuar heroikisht kundër një diktature. Pse jo?!

Për drejtuesit e muzeut, “kjo është një mënyrë indirekte për të mbështetur popullin ukrainas”.

Më duket një zgjidhje e mirë. Nuk duhet të ketë hapësirë ​​këtu në një institucion francez për këtë gjë, është më e pakta që mundemi të bëjmë!

Sot është dita e tetë e agresionit rus në Ukrainë, çka po vijon të nxisë reagimin ndërkombëtar dhe protesta në të gjithë botën. Kryeministri Edi Rama ndau sot një tjetër foto, për të përcjellë mesazhin kundër luftës.

Raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës mbahet sot, me një takim mes palëve në zonën Belovezhskaya Pushcha në Brest, një qytet në Bjellorusi pranë kufirit polak.

Më shumë se 2 mijë civilë janë vrarë që kur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës më 24 shkurt, sipas autoriteteve ukrainase. Për Moskën, ky nuk është pushtim, por çmilitarizim i Ukrainës. Agjencia e OKB-së për Refugjatët, UNHCR vlerëson se 1 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina për në vendet fqinje. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi dje rezolutën jodetyruese kundër agresionit rus, të propozuar nga Shqipëria dhe SHBA. Kina ishte mes vendeve që abstenoi, bashkë me Indinë. Bjellorusia, Koreja e Veriut, Eritrea e Siria votuan kundër.