Art & Kulturë

Në Festivalin e Filmit në Kanë, triumfon satira! Palma e Artë i shkon filmit suedez “Without filter”!

Pesë vjet pas filmit “The Square”, suedezi Ruben Ostlund fitoi Palmën e dytë të Artë në Festivalin e 75-të të Filmit në Kanë me “Without Filter”, (“Pa filtër”), satirë e këndshme e super të pasurve dhe luksit. Për jurinë nuk kishte dyshime që ishte filmi më argëtues i këtij edicioni. Në skenën e “Grand Théâtre Lumière”, 48-vjeçari u shfaq euforik dhe ndërsa mori vlerësimin e shumëdëshiruar deklaroi:

Kur nisëm punën për këtë realizim, kishim vetëm një qëllim: të përpiqeshim të bënim një film që t’i interesonte publikut dhe ta bënte të mendonte në mënyrë provokative.

Vincent Lindon, presidenti i jurisë, u shpreh:

E gjithë juria u trondit jashtëzakonisht nga ky film!

“Without Filter” ka në fokus aventurën e çiftit Yaya dhe Carl, shumë të njohur e me ndikim në botën e rrjeteve sociale e që nisin pushime luksoze. Por, udhëtimi nuk iu shkon sipas pritshmërive…

Në një lloj “Titaniku” të përmbysur, ku më të dobëtit nuk janë domosdoshmërisht humbësit, filmi zbërthen burimet e klasave nga lart poshtë: të pasurit kundër të varfërve, por edhe burrat kundër grave e të bardhët kundër njerëzve me ngjyrë.

Regjisori kritikon pa kompromis kapitalizmin dhe ekzagjerimet që e shoqërojnë. I rritur nga një nënë komuniste, duke e përcaktuar veten si “socialist”, suedezi nuk iu dorëzua lehtësisë së “përshkrimit të të pasurve si njerëz të këqij”, por përkundrazi u përpoq “të kuptonte sjelljen e tyre”.

Pas “Play” (2011), “Snow therapy” (2014) dhe “The Square” (2017), Ruben Ostlund vazhdon të zbërthejë konventat shoqërore dhe dilemat morale.