Bota

Në Rusi u shua rebelimi Wagner, por rubla kap vlerën më të ulët kundrejt dollarit!

Tregjet financiare, Rusia i hapi duke e tregtuar rublën në nivelin më të ulët në 15 muajt e fundit kundrejt dollarit. Sot në mëngjes, vlera e monedhës ruse ishte 2.1% më e vogël, 86.5. Ulje të ndjeshme të vlerës, rubla njohu në mars të vitit të kaluar, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Në atë kohë arriti në 87.2. Tregjet e këmbimit valutor mbyllen gjatë fundjavës në Rusi, për t’u hapur çdo fillimjavë.

Ndërkaq, fundjava nuk ishte e zakonshme për shtetin e drejtuar nga Vladimir Putin. Të shtunën, paraushtarakët e grupit privat Wagner sfiduan pushtetin e tij dhe Putin foli për “thikë pas shpine” e “tradhti”, ndërsa paralajmëroi ndëshkime të ashpra. Por, kjo nuk ndodhi. Në një marrëveshje të minutave të fundit, të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Lukashenko, kreu i Wagner-it, Yevgeny Prigozhinin ndërpreu të ashtuquajturin “marshim për drejtësi” drejt Moskës, kur ishte vetëm 200 km larg kryeqytetit rus.

Më parë, forcat e tij morën kontrollin e qytetit jugor Rostov-on-Don, në një rebelim kundër komandës ushtarake të Rusisë. U mësua se Prigozhin do të shkojë në Bjellorusi dhe mercenarët Wagner-it u kthyen në bazat e tyre. Në Ukrainë, ata luftojnë në krah të ushtrisë ruse.

Arsyeja e vërtetë e rebelimit që në vlerësimin amerikan krijoi “të çara” në autoritetin e Putinit ishte urdhri i Moskës zyrtare që kompanitë private ushtarake të firmosin kontrata me ushtrinë ruse deri më 1 korrik. Kjo nënkupton integrimin e forcave të tyre në strukturat ushtarake zyrtare.

Ka shumë pikëpyetje për atë që ndodhi në Rusi, dy ditë më parë. Dihet vetëm që Prigozhin është një njeri i lirë dhe që nuk duhet të përgjigjet para ligjit për rebelim të armatosur.  Ai guxoi të sfidonte në sytë e botës njeriun që e fuqizoi dhe e bëri shumë të pasur. Armiqtë e betuar të Prigozhinit, krijesës së Kremlinit të ngarkuar me kryerjen e “punëve të pista”, janë ministri i Mbrojtjes, Shoigu e kreu i shtabit të ushtrisë, Gerasimov, të cilët i quan “të paaftë” për të pushtuar Ukrainën.