Bota

Rusia kërkon ushtarë, Putin firmos dekretin për rekrutimin!

Presidenti rus, Vladimir Putin firmosi dekretin për fushatën e rekrutimit ushtarak, duke thirrur 150 mijë qytetarë nga mosha 18-vjeç. Për një vit, duhet të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak ose trajnime ekuivalente gjatë shkollimit të lartë. Korrikun e kaluar, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus votoi për të rritur moshën maksimale të rekrutëve nga 27 në 30-vjeç. Ligji i ri hyri në fuqi më 1 janar 2024.

Duhet thënë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak mbetet një temë e ndjeshme në Rusi, shtet ku djemtë dhe burrat kanë tentuar që t’i shmangen rekrutimit, në dy fushata rekrutuese gjatë kohëve të fundit.

Ligjërisht, rekrutët nuk mund të dislokohen për të luftuar jashtë Rusisë dhe ata u përjashtuan nga mobilizimi i vitit 2022, kur u mblodhën të paktën 300 mijë persona me trajnime të mëparshme ushtarake për të luftuar në Ukrainë. Por, për disa rekrutë u raportua se gabimisht u dërguan për të luftuar në Ukrainë.

Në muajin shtator, Vladimir Putin nënshkroi rekrutimin e 130 mijë vetëve gjatë fushatës së vjeshtës dhe në fushatën e kaluar pranverore të rekrutimit, Rusia planifikoi të rekrutonte 147 mijë persona. Fushata e rregullt e rekrutimit ndodh në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, të cilin Moska e nisi në shkurt të vitit 2022.

“Ushtria e Ukrainës ka nevojë urgjente për më shumë armë amerikane, përfshirë raketa me rreze të gjatë, për të frenuar avancimin rus dhe ndalur sulmet nga Krimeja. Në të kundërt ato do të detyrohen të tërhiqen”. Kjo u deklarua nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një intervistë për “Washington Post”. Mesazhi i drejtohet presidentit Biden, por mbi të gjitha republikanëve të Kongresit Amerikan, të cilët vazhdojnë të bllokojnë 60 miliardë dollarë ndihma të reja ushtarake për Ukrainën.

Nëse duhen 8 mijë goditje në ditë për të mbrojtur vijën e parë, por keni vetëm 2 mijë, duhet të bëni më pak. Nëse nuk ka mbështetje të SHBA-ve, do të thotë që nuk kemi mbrojtje ajrore me raketat Patriot, nuk kemi bllokues të luftës elektronike apo predha artilerie 155 milimetra.

Zelensky siguroi se raketat me rreze të gjatë do të përdoren për të goditur aeroportet në Krime e për të parandaluar sulmet e armikut të nisura nga gadishulli i pushtuar.

Me armatimet e reja, ne mund të synojmë të mbajmë frontin të qëndrueshëm dhe të lejojmë Ukrainën të armatosë e stërvisë brigada të reja në prapavijë për të kryer një kundërofensivë të re deri në fund të vitit.

Në javët e fundit, Kievi i ka parë me shqetësim veprimet e rusëve, të cilët pasi pushtuan Avdivkan, rifilluan ofensivën në juglindje e veri, plus bombardime masive të infrastrukturës energjetike në të gjithë vendin, ashtu si dimrin e vitit të kaluar.