A Live Night Celebrities Gossip Showbiz

Nga një vajzë e vogël me dëshirën për të kënduar, në Sonjën e “Spirit Voice”!

E ftuar ditën e sotme në “A Live Night” ishte artistja shumë e dashur Soni Malaj. Në një intervistë speciale, ajo tregon se veç talentit, nevojitet shumë punë dhe vullnet për të arritur atë që do në jetë. Në një rrëfim si asnjëherë më parë, Soni Malaj, zbulon hapat e parë në karrierë, duke e nisur pikërisht nga fëmijëria.

Unë jam e lindur në Tropojë dhe kam jetuar deri në moshën 9-vjeçare. Kanë qenë vite që kanë shenjuar karakterin tim. Ka qenë një fëmijëri shumë e bukur, shumë e jetuar e plotë në një vend që edhe bota do e kishte zili. Gjithmonë thonë që Tropoja është si Zvicra… Por shkëputja nga Tropoja në vitin 1991 ka qenë diçka e rëndë psikologjikisht për mua dhe vëllanë tim si fëmijë, sepse erdhi shumë e papritur me ndërrimin e sistemit, jemi vendosur në Tiranë. Unë e kam vuajtur shumë, më dukej sikur nuk i përkisja Tiranës.

Nga një vajzë e vogël me dëshirën për të kënduar, në Sonjën e “Spirit Voice”, ky ishte rrugëtimi i Soni Malaj drejt një karriere të suksesshme muzikore.

Më karakterizon këmbëngulja. Nuk kisha dëgjuar për një audicion, thjesht do bëhesha këngëtare. Unë mendoja kush do jetë rruga dhe e përgatisja veten që në adoleshencë të shkoja në festival. Deri në moshën 14-vjeçare, unë stërvitesha vetë vokalisht. Kur bëja shumë zhurmë për komshinjtë futesha në dollap.

Një ditë vjen mamaja ime dhe më flet për motrën e një kompozitori, që kishte ndërtuar një studio. I thashë do vij të bëj audicion. Çdo ditë e pyesja a i kishte folur për mua. Kur u bë një mbrëmje 8 marsi, shkova dhe unë, dola ta kërcej dhe shpalosa të gjithë talentin tim në të kërcyer. U caktua që do bëja audicion, vendosën të më dëgjojnë. Babi më tha ti e ke hobi, por ti do bëhesh doktoreshë. Shkoj dhe këndoj, ishte Elton Deda, Alban Karabashi, Redon Makashi, Faban Asllani, pjesa e elitës. Thanë ne kemi talentin e radhës, ishin shumë të lumtur.

Unë isha në klasën e tetë kur kam bërë audicionin, dhe i thoja kujtdo në klasë më merrni autografin tim sepse një ditë do bëhem e famshme. Kam filluar të shkruaj autografe pa u bërë e famshme. Me klasën time po bënim një xhiro, dhe po vinte Alban Karabashi, vrapoj dhe i them si nuk më bërë këngëtare. Më tha sepse kemi një mendim tjetër, të bëjmë grup. Unë doja të isha solistja.

Por më tha do kalosh audicion tjetër. Shoh shumë vajza të ndryshme, më bie në sy njëra që nuk kishte dëshirë. Dorina më thanë quhej, dhe mbahej një ndër më të mirat në lice. Nuk doja ta zgjidhnin. Dorina ishte e para që u përzgjodh në fakt për “Spirit Voice”. Më pas vjen Larisa, dhe Angjelina. Albani më thotë duhet të fusim një djalë në saksofon. Erdhi dhe Brikeli dhe formohet “Spirit Voice”.