Aktualitet Politikë

Pagesat ruse të Monika Kryemadhit, Taulant Balla: U prek siguria kombëtare!

I pyetur për një koment lidhur me morinë e dokumenteve të publikuar nga Top Channel që tregojnë se njerëz të lidhur me Vladimir Putinin kanë bërë disa pagesa në adresë të politikanes shqiptare, deputetes Monika Kryemadhi, kreu i grupit socialist, Taulant Balla deklaroi:

Rreth 5 vite më parë, në mënyrë të rregullt e të përditëshme kam dalë para jush për një çështje që thellësisht ka të bëjë me sigurinë kombëtare e lidhet me faktin se edhe Shqipëria ka qenë vulnerabël e target i penetrimit të financimeve të paligjshme nga kompani guacka, off shore, të cilat financonin parti politike apo politikanë të caktuar.

Tani, ajo që ka zbuluar dje Top Channel ose në fakt ka vijuar sepse ka patur komunikim të mëparshëm edhe nga disa media ndërkombëtare, por e djeshmja është një panoramë e plotë. Eshtë skema e mirëfilltë e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve si fjalë që është tashmë në modë, por përmes biznesmenëve përfitues të fondeve nga borderotë e Vladimir Putinit, të kenë financuar politikanë të caktuar në vende të ndryshme të Europës. Një rast i ngjashëm u zbulua në Gjermani para pak kohësh, në Austri, në Itali dhe më së shumti në vendet edhe të rajonit tonë, por dhe të ish-bllokut komunist. Përpjekja është e qartë: lidhja me politikanë të caktuar për të dëmtuar demokracinë në ato vende e për të krijuar atje le të themi, një front pro-rus, flas për kontekstin ndërkombëtar.

Kthehemi te rasti në fjalë dhe te dokumentet e publikuara dje nga Top Channel. Që në orën 08:00 të mëngjesit, zonja Kryemadhi duhej të kishte dalë e të sqaronte këto çështje. Pra, si ka mundësi që gjendesh në dokumenta që janë zyrtarë? Rezulton që je aksioner, sepse në momentin që je përfitues dividenti, kush ka pak haber nga Kodi Tregtar, e di fare mirë që në momentin që je përfitues dividenti, je aksioner. Në momentin që në llogarinë tënde të transferohen disa para’ si përfitim dividenti, je aksioner. Aksioner me kë? Aty pastaj dalin emrat dhe media juaj (Top Channel) ka thënë është ky aksioner, ky aksioner… janë publikisht të njohur sepse e para, i ke në listat e zeza të SHBA-ve, për shkak edhe të sanksioneve të vendosura pas agresionit të pajustifikuar rus kundër Ukrainës. Tjetra më e rëndësishme është fakti, se ne jemi subjekte të deklarimit e kontrollit të pasurive. Ne deklarojmë çdo lloj llogarie bankare brenda e jashtë vendit.

Në cilin vend të Europës sonë të përbashkët do të dilte një politikan i këtij niveli, në kohën në fjalë edhe si bashkëshorte e Presidentit të Republikës, pra flas për vitin 2017, ku paske një llogari, jo në një bankë në offshore… Ju mbani mend para pak kohësh kur doli Panama Papers, se çfarë tërmeti shkaktoi vetëm fakti i qenies së emrit të një politikani në një vend të caktuar apo në një vend tjetër, në llogaritë bankare të offshore-ve në Panama dhe e dini fare mirë se në shumicën e vendeve, të gjithë politikanët e përfshirë dhanë dorëheqjen dhe u larguan, por organet ligjzbatuese të vendeve përkatëse që lidhen me pastrimin e parave, hetimin, në rastin tonë Prokuroria, filluan menjëherë hetimet.

Kjo gjëja ka të bëjë me transparencën. Unë nuk dua të paragjykoj, nuk dua të bëj as prokurorin, as gjyqtarin.

Mendoj se vetë personi, rasti i zonjës Kryemadhi apo të gjithë personat e tjerë, në të gjitha rastet duhet të dalin vetë në një komunikim publik. Të thonë: po, kjo nuk është e vërtetë.

Por, në këtë rast është edhe shteti. Çfarë duhet të bëjë shteti? A është prekur siguria kombëtare në këtë rast? Unë mendoj që po! Fakti që merr divident apo je aksioner në një shoqëri tregtare ku në atë shoqëri tregtare janë aksionerë miqtë e Vladimir Putinit, kjo është e rëndë.