Food & Drink Health & Beauty

Panxhari i kuq dhe dardha, kombinimi perfekt nëse po kërkoni të hani diçka të shëndetshme!

Nëse dëshironi të hani diçka vërtet të shëndetshme, përzini dardhën dhe panxharin e kuq. Panxhari është i pasur me minerale, shëron aneminë dhe forcon enët e gjakut, ndërsa dardha përpos mineraleve dhe vitaminave përmban edhe sasi të mëdha të fibrave bimore, të cilat përshpejtojnë tretjen. Përveç kësaj, ajo përmban edhe shumë pektine, të cilat zvogëlojnë kolesterinën dhe stabilizojnë nivelin e glukozës në gjak. Përbërësit që ju nevojiten janë 500 gr panxhar të kuq, 50 ml uthull balsamike, gjysmë luge të vogël piper të bardhë, 150 gr dardha, 50 gr xhelatinë boronice, një lugë qull mielli, një lugë sheqer dhe pak kripë.

Panxharin lajeni, qërojeni dhe priteni në feta të holla. Në tenxhere vendosni uthullën, 1 gotë ujë, kripë dhe piper, shtoni panxharin dhe zijeni në zjarr të lehtë. Dardhat lajini, qërojini, hiqjani farat dhe pritini në feta. Para se panxhari të zbutet tërësisht, shtoni dardhat dhe zijeni edhe dhjetë minuta. Para se ta shërbeni, tundeni qullin e miellit me 2 lugë ujë dhe me xhelatinën e boronicës, shtojani panxharit dhe përzijeni derisa të dendësohet pak.

Ndërkaq, a e keni menduar ndonjëherë nëse lëngu i panxharit është i mirë për ju? Panxhari njihet se ka një vlerë të lartë ushqyese, ofron mbështetje për mëlçinë dhe është i mirë për humbje peshe. Për fat të keq, panxhari përmban sasi të larta të oksalatit, një substancë që rrit rrezikun e formimit të gurëve në veshka dhe trazon stomakun. Njerëzit që vuajnë nga gurët në veshka, ose ata që janë të predispozuar të preken nga ky problem duhet të shmangin lëngun e panxharit.

Kjo ndodh sepse panxhari përmban shumë oksalat, që është një substancë nxitëse për formimin e gurëve në veshka. Panxhari rregullon tretjen dhe e stimulon atë. Është mirë ta konsumoni të freskët, sepse vetitë antioksiduese humbasin gjatë trajtimit termik. Në formën e tij të freskët, mund ta përdorni si shtesë në një smoothie. Nga panxhari i freskët mund të bëni edhe një sallatë të shijshme dimërore, e cila në bashkëpunim me ushqime të tjera largon yndyrat e padëshiruara nga trupi.